Komuna e Lipjanit - Foto: Facebook / Komuna e Lipjanit
Anulohet tenderi për ndërtimin e çerdhes në Gadime të Lipjanit
Komuna e Lipjanit e ka anuluar tenderin për ndërtimin e çerdhes në fshatin Gadime. Anulimi i aktivitetit të prokurimit është bërë më 2 shkurt të këtij viti, nën arsyetimin, se një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Numri i ofertave të pranuara për ndërtimin e çerdhes ka qenë 9 sosh, ndërkaq kriter për dhënien e këtij tenderi ka qenë çmimi më i ulët.
Vlera e parashikuar e kontratës për ndërtimin e objektit të këtij institucioni parashkollor në Gadime ka qenë 250 mijë euro.
Procedura e tenderit ka qenë e hapur, e njoftimi për kontratë ishte publikuar në qershor të vitit 2020.
Rreth çështjes, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Lipjanit, duke pyetur për arsyen e anulimit të tenderit, por nuk ka marrë përgjigje.
Për çerdhen në Gadime, në Emisionin “Jeta në Komunë”, kishte folur kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti.
“Ne e kemi bërë një çerdhe në Lipjan, një tjetër është e kontraktuar në Gadime, pritet me fillu. Në Gadime po e marr si punë që është para përfundimit të të gjitha procedurave, ka qe 4-5 muaj që është e publikuar”, ishte shprehur ai.