Një fëmijë duke marrë vaksinën kundër fruthit - Foto: REL/EPA

Anulohet tenderi për furnizim me vaksina të gripit sezonal, çmimi gati u trefishua

Ministria e Shëndetësisë ka anuluar tenderin për furnizim me vaksina të gripit  sezonal për shkak se ka pasur një tejkalim të madh të buxhetit të planifikuar.

Ministria  e Shëndetësisë kishte planifikuar t’i shpenzonte 3 milionë e 157 mijë euro për furnizimin me këto vaksina, mirëpo oferta që kishte shkuar në zyret e Ministrisë së Shëndetësisë kishte qenë më shumë se dyfish më e madhe se sa planifikimi.

Një grup i operatorëve kishte ofertuar me 8 milionë e 539 mijë euro.

“Me keqardhje ju njoftojmë se tenderi i paraqitur nga ana juaj nuk qe i suksesshëm, ngase tenderi juaj nuk qe tenderi me çmimin më të ulët në mesin e tenderëve që plotësonin kërkesat e dhëna në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderin. Ju informojmë se aktiviteti është anuluar për shkak të tejkalimit substancial të buxhetit të planifikuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë kishte planifikuar t’i blinte 376 mijë e 500 vaksina me çmimin prej 3 milionë e 157 mijë euro.

Kjo nënkuptonte se Ministria e Shëndetësisë kishte planifikuar të paguante rreth 8 euro për një vaksinë të gripit sezonal.

Ndërsa me çmimin e ofruar nga grupi i kompanive të cilën Ministria e Shëndetësisë e shpalli të pasuksesshëm i binte që për një vaksinë qeveria të paguante më shumë se 22 euro për vaksinë.