Ilustrim

Anulohet tenderi mbi 2 milionësh i MMPHI për efiçencë të energjisë në komuna

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka anuluar tenderin mbi 2 milionë eurosh për  ‘Zbatimi i masave të Efiçencës së Energjisë në ndriçim publik në 23 komuna’.

Sipas ministrisë, ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit.

MMPHI e kishte pezulluar këtë tender me 15 prill pasi një operator ekonomik është ankuar dhe ka kërkuar rishqyrtimin e tenderit.

KALLXO.com kishte raportuar se MMPHI kishte përdorur procedurë të përshpejtuar për këtë tender ndërsa organizata KOSID kishte reaguar mbi dyshimet për keqpërdorime.

Sipas dosjes së tenderit, MMPHI kishte planifikuar që për këtë tender të shpenzojë 2 milionë e 375 mijë e 294 euro.

Tenderi është hapur me 11 mars dhe operatorët e interesuar mund të dërgojnë ofertat e tyre deri më datën 20 prill të këtij viti.

Data 20 prill ishte vendosur pas kthimit në procedurë të rregullt të këtij tenderi, pasi që në njoftimin e mëhershëm për procedurë të përshpejtuar, datë për dorëzimin e  tenderëve ka qenë 26 marsi.

Në dosjen e tenderit ishte dhënë edhe një arsyetim se pse është bërë ky tender me procedurë të përshpejtuar.

“Me kërkesë të njësisë kërkuese është bërë afat i shkurtuar i dorëzimit të ofertave. Meqenëse projekti në fjalë do të jetë me bashkëfinancim me komuna dhe jemi përballë pandemisë COVID-19, ku buxheti i donatorëve të komunave do të duhet të kryhet brenda vitit fiskal, kërkohet që projekti të zhvillohet me procedura të përshpejtuara”, thuhej në dosje.

Ish- ministri i Mjedisit, Muharrem Nitaj, kishte kërkuar që ky tender të bëhet sipas procedurave të rregullta e jo siç kishte filluar.

“Megjithëse në arsyetimin e Njësisë kërkuese thuhet se “Hapja e tenderit është bërë me afat të shkurtuar të dorëzimit të ofertave, meqenëse projekti në fjalë do të jetë bashkëfinancim me komuna dhe jemi përballë pandemisë COVID-19, e ku buxheti i donatorëve të komunave do të duhet të kryhet brenda vitit fiskal”, unë si ministër nuk shoh asnjë arsye valide që tenderi të hapet me afate të përshpejtuara, prandaj kam kërkuar edhe zyrtarisht që ky proces të zhvillohet sipas procedurave të rregullta!”, thuhej në reagim.

Ky tender do të zhvillohet me procedurë të hapur të ofertimit, ndërsa sipas dosjes së tenderit, qëllimi specifik është të ulen kostot financiare në ndriçim publik me zbatimin e masave të efiçencës së energjisë.

Sipas dosjes, kjo do të bëhet duke arritur të inkorporohen më mirë në sistem imputet me efiçencë të lartë të energjisë për kursim të energjisë deri në 70%, duke zbatuar Udhëzimit Administrativ (MEA) Nr. 03 2020 për përdorimin e produkteve që rrjedhë nga ligji për Efiçiencën e Energjisë.

Sipas Ministrisë së Ambientit, me zbatimin e projektit Operatori Ekonomik duhet ta bëj furnizimin dhe montimin e te gjitha produkteve sipas paramasës dhe përllogarisë sipas kërkesave të komunave.

Kjo kontratë kishte qenë e paraparë për 36 muaj.

Sipas ministrisë, me këtë projekt do të kishte kursim të buxhetit komunal rreth 3,314,141.60 euro në vit. Më tej në dokumentacion thuhet se ky projekt do të kontribuon edhe në arritjen e cakut prej 11% për kursim të energjisë që Republika e Kosovës është nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.