Burimi: www.pixabay.com

Burimi: www.pixabay.com

Anulohet tenderi 1.4-milionësh për rrjetin 5G në Parkun e Inovacionit në Prizren

Projekti për implementimin e rrjetit 5G në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, me vlerë të parashikuar prej 1.4 milion euro, është anuluar.

Arsyeja e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit i cili është shpallur më 8 korrik 2022, sipas vendimit të  Ministrisë së Ekonomisë, është buxheti.

“Në mungesë të procesit të rregullt të rishikimit të buxhetit, buxheti indikativ për vitet 2023 dhe 2024 nuk është reflektuar në Ligjin bazik. Andaj, sipas rregullave të financave publike aktiviteti duhet të ndërprehet sipas nenit 62 sepse Autoriteti nuk ka të drejtë ligjore të krijoj obligime kontraktuale në mungesë të miratimit (rishikimit) të Ligjit mbi ndarjet  buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2022 duke reflektuar në planifikimin e buxhetit indikativ për vitet në vijim”, thuhet në vendimin për anulim.

Për këtë kontratë që parashihej të zgjaste 36 muaj, lloji i procedurës ishte i hapur, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Nga përshkrimi i çmimeve të këtij tenderi u bë e ditur se planifikohej të bëhej implementimi, operacionalizimi dhe optimizimi i Rrjetit të Pavarur Qendror (Core) 5G dhe Rrjetit të qasjes radio (RAN) 5G në kampusin ITP në Prizren, implementimi i Modeleve të Përdorimit (Use Case) dhe trajnimet dhe Certifikimet profesionale në vend (“on-site”) për temat aktuale dhe të ardhshme të 5G dhe më gjerë.

Ministria e Ekonomisë, ndër të tjera ka dhe këto kompetenca: përkrahja e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve, në veçanti tregtinë elektronike, identifikimin elektronik, sigurinë e sistemeve të informacionit; Inteligjencën Artificiale, si dhe teknologjitë tjera të reja (Internet of Things, Big Data, Cloud Computing, Virtual Reality, 3D Printing), etj.