Anulohet sërish seanca në rastin ‘Veteranët’, njëri nga të akuzuarit njoftoi për probleme shëndetësore
Në Gjykatën e Prishtinës më 28.05.2024 parashihej të mbahej seanca e radhës në rastin e njohur si “Veteranët”, por e njëjta u anulua për shkak se njëri nga të akuzuarit, Rrustem Berisha ka njoftuar që ka probleme shëndetësore.
Këtë e ka bërë te ditur zyra e gjyqtarit të rastit Gazmend Bahtiraj, përmes raportit mjekësor të cilin u tha se e ka pranuar nga i pandehuri.
Ndërsa, nuk është caktuar ndonjë datë tjetër lidhur me këtë rast.
Në këtë proces të akuzuar janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Ata akuzohen se si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni, duke ua mundësuar dhe njohur personave të tjerë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.
Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 24.03.2022 dhe seanca e parë e rigjykimit u mbajt me 31.10.2023.
Prej që rasti është kthyer në rigjykim kjo seanca është anuluar për herë të tretë.
Për heë te parë pas rigjykimit ishte anuluar me datën 15.03.2023 mbi arsyetimin se “Prokuroria ka kërkuar afat shtesë prej 2 muaj për të plotësuar aktakuzën/”
Për herë të dytë pas rigjykimit ishte anuluar me datën 18.09.2023 mbi arsyetimin se “Prokurori ishte në udhëtim zyrtar jashtë vendi.”
Apeli gjeti se vendimi i Gjykatës së Prishtinës kishte shkelje esenciale dhe më qëllim të evitimit të tyre urdhëroi që gjykimi të përsëritet.
Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t’u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.
Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, në krye me Agim Çeku, për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit.
Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit qeveritar në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t’u sjellin përfitim pasuror.
Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë statusin e veteranit në mënyrë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga ky status.
Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.
Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.
“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.