Ilustrim

Anulohet seanca gjyqësore ndaj menaxherit të Prokurimit të Komunës së Dragashit

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Nuro Ismaili, menaxher i Prokurimit në Komunën e Dragashit. Ismaili, po akuzohet nga Prokuroria për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, në cilësinë e menaxherit të Prokurimit në Komunën e Dragashit, i pandehuri kishte shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitoj dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtarja Raima Elezi, e cila ka njoftuar se i pandehuri Nuro Ismaili, me anë të një parashtese kishte njoftuar Gjykatën se është në pushim mjekësor pasi i ishte nënshtruar një operacioni në fillim të këtij muaji.

Pasi nuk u përmbushën kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, bëri të ditur se seanca e sotme nuk do të mbahet dhe është caktuar më 13 gusht.

Sipas aktakuzës të datës 30 nëntor 2020, i pandehuri Nuro Ismaili po akuzohet se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i zyrës së Prokurimit në Komunën e Dragashit, kishte shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, dhe nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitoj dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi”.

Ismaili, sipas aktakuzës në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit, në kundërshtim me ligjin ka lidhur kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 25 mijë e 680 euro.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, Ismaili akuzohet se ka dështuar që të konfiskojë sigurinë e tenderit i datës 5 maj 2019 në shumën prej 3 mijë euro për furnizim me dru dhe pelet nga operatori ekonomik “Avni Murtezi”.

Po ashtu, Ismajli ngarkohet se pa i plotësuar të gjitha dokumentet, lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës.

Me këto veprime, Nuro Ismaili nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimi të  pozitës apo autoritetit zyrtar.