Seanca ndaj Meliza Haradinaj-Stublla për raportim të rremë të pasurisë FOTO- Shyhrete Maliqi/KALLXO.com

Anulohet seanca e nesërme gjyqësore ndaj Meliza Haradinajt

Është anuluar seanca gjyqësore  e cila ishte caktuar për ditën e nesërme ndaj Ministres në detyrë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila akuzohet për raportim të rremë të pasurisë.

Arsyeja e anulimit të seancës është se gjykatësi Alban Ajvazi i cili e ka gjykuar këtë rast ka kaluar në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Zyrtari për menaxhim të lëndëve penale Agim Bytyçi ka thënë se kjo lëndë ende nuk i është ndarë në punë ndonjë gjyqtari.

Kujtojmë se më datë 18 dhjetor 2020 në seancën fillestare të rigjykimit Haradinaj është deklaruar rreth fajësisë.

Meliza Haradinaj – Stublla, e cila tash është Ministre në detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ishte dënuar nga Gjykata me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajve.

Pas hulumtimit të KALLXO.com në muajin dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtore për  raportim të rremë të pasurisë, Meliza Haradinaj – Stubllën, e cila në atë kohë kishte pozitën e këshilltares politike të kryeministrit, Ramush Haradinaj

Gjykata e ka dënuar Haradinaj – Stubllën me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej 1 viti, nuk kryen vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, të cilin do ta paguajë brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj – Stublla  kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 dhe nenin 6 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte regjistruar në Londër. Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Ëoolmead Avenue” në Londër.

“IN MIDDLE LTD” ishte  themeluar në vitin 2015 dhe deri pak ditë para publikimit të hulumtimit kishte vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me Agjencinë e Regjistrimit.

Si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklarojë pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj – Stublla, nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj – Stublla ka deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës si dhe  ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.

Por Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.

Edhe në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2018, Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në maj të vitit 2019, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Këshilltarja e kryeministrit në largim Ramush Haradinaj u ballafaqua në Gjykatë për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.