Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Anulohet protesta e thirrur nga Labinot Tahiri

Protesta e thirrur nga këngëtari dhe ish-deputeti Labinot Tahiri, për t’i përkrahur bizneset dhe gastronominë, e cila ishte planifikuar të mbahej sot është anuluar.

Kjo protestë u paralajmërua pas masave të ndërmarra nga Qeveria për ndalimin e punës së bizneseve nga ora 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Labinot Tahiri ka thënë se kjo protestë është anuluar pasi që Shoqata e Gastronomëve njoftuan që nuk do marrin pjesë në protestë.

“Ata interes nuk paskan aspak, dhe i paskan punët mirë, nuk di qysh dilnin në sheshe me tenxhere e kusia! Të gjitha ankesat e tyre paskan qenë politike!”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës para pak minutash kanë njoftuar se  distancohen nga protesta e thirrur për sot në orën 11:00 në ‘Sheshin Skënderbeu’, para Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës i ka miratuar masat e reja kundër përhapjes së COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi sot nga pra 18:00.

Me këto masa, varësisht se në cilat zona të rrezikshmërisë gjenden komunat e vendit, është e përcaktuar edhe karantina dhe puna e lejuar e gastronomisë.