Anulohet Konkursi për zgjedhjen e katër aktorëve në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka anuluar të martën, më 24.12.2024, procedurat e Konkursit për zgjedhjen e katër aktorëve në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ky vendim është marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi.

Sipas vendimit të MKRS, arsyeja për anulimin e Konkursit është aplikimi i kritereve, të cilat nuk janë paraparë me Konkurs.

“Për shkak se gjatë zhvillimit të procedurës janë vendosur dhe aplikuar kritere, të cilat nuk janë paraparë në Konkurs dhe duke marrë parasysh që kjo mund të cenojë standardet e transparencës, ligjshmërisë e mosdiskriminimit, anulohet procedura e rekrutimit “Aktor/e në Teatrin Kombëtar të Kosovës – 4 pozita”. Procedura e rekrutimit do të shpallet përsëri.” – thuhet në Vendimin e MKRS, për anulimin e Konkursit për aktorë në TKK.

Konkursi për zgjedhjen e katër (4) aktorëve në TKK ishte hapur më 21.10.2024, ndërsa 31 kandidatë garuan për këto pozita.

Audicioni për pranimin e aktorëve në TKK ishte mbajtur më 13 dhe 14 dhjetor 2024.

Edlir Gashi, Qëndresë Jashari, Valmir Krasniqi e Donikë Ahmeti dolën katër (4) kandidatët më të vlerësuar nga Juria e Konkursit.

Juria (Komisioni vlerësues) që ka bërë vlerësimin e kandidatëve të Konkursit për zgjedhjen e katër (4) aktorëve të TKK-së kishte këtë përbërje: Kushtrim Mehmeti – udhëheqës artistik i TKK-së, Ismet Ramadani – aktor e drejtor i Teatrit Shqiptar në Shkup, Kushtrim Bekteshi – regjisor e profesor i Universitetit të Tetovës, Alessandro Argnani – aktor italian e drejtor i Teatrit të Ravenas; si dhe, Serena Abrami – këngëtare italiane, e cila si ndihmës të saj – përkthyes pati basistin, Enrico Vitali.

Publikohen rezultatet e Audicionit për aktorë në Teatrin Kombëtar