Anulohet konkursi për kryeshef të Postës

Bordi i Postës së Kosovës e ka anuluar konkursin për kryeshef dhe zyrtarin kryesor Financiar të ndërmarrjes. Anulimi i konkursit ka ardh pas kërkesave të vazhdueshme të ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi.

Mentor Arifaj, për KALLXO.com, ka thënë se konkursi është anuluar pasi janë ndryshu rrethanat me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Qeverisë dhe Ambasadës Britanike për ofrimin e asistencës në rekrutim për pozita të larta drejtuese.

“Me ndryshimin e rrethanave, duke marrë parasysh qëndrimin tonë për një transparencë më të madhe, kemi vendos me anulu konkursi me qëllim që pas rishpalljes së konkursit Ambasada Britanike të jenë të përfshirë në proces që nga fillimi”, ka thënë Arifaj.

Kryesuesi i bordit të Postës ka thënë se kërkesat e vazhdueshme që kanë ardh nga ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për anulim të konkursit nuk kanë qenë në përputhje me gjendjen e Postës dhe nevojën për rritjen e aseteve të ndërmarrjes.

Arifaj, si bord i përkohshëm nuk janë të kufizuar në kompetenca, prandaj sipas tij, pas koordinimit me Ambasadën Britanike do të rishpallin konkursin për kryeshef të Postës.