Anulohet bojkoti në Universitetin e Prishtinës, plotësohet kërkesa e Parlamentit Studentor për afatet shtesë të provimeve

Bojkoti i mësimit e thirrjet për protesta janë anuluar pasi Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se menaxhmenti i UP-së ka plotësuar kërkesën e tyre për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve. 

“Për shkak të paqartësive, Parlamenti Studentor iu njofton se pas plotësimit të kërkesave tona, të ndërprehet bojkoti i mësimit dhe anulohet thirrja për protestë dhe kështu nga nesër t’iu rikthehemi procesit mësimor me rregull. Shprehim rastin t’i falënderojmë menaxhmentin e Universitetit për bashkëpunimin dhe konstruktivitetin!”- thuhet në njoftimin e datës 11.11.2024. 

Parlamenti Studentor i UP-së tutje ka njoftuar se pas diskutimeve me menaxhmentin e Universitetit, sot (11.11.2024) Senati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur për mbajtjen e vlerësimit intermediar I (nëntor), vlerësimit intermediar II (prill). 

Përveç kësaj, tashmë me kërkesë të PS-së studentët kanë të drejtë t’i parqesin deri në tre provime për secilin vlerësim intermediar, njofton Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës kishte reaguar pas konferencës për media të rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu, në lidhje me kërkesën e tij për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve.

Parlamenti Studentor i UP-së shprehet i shqetësuar lidhur me deklarimin e rektorit Hajrullahu se “disa studentë apo grupe studentësh janë të financuar për të instrumentalizuar dhe për të krijuar mjegull sikur menaxhmenti i UP-së është kundër studentëve”.

Këtë deklarim të rektorit Hajrullahu, Parlamenti Studentor e ka vlerësuar si “akuzë të pabazë”, ndërsa e ka inkurajuar Hajrullahun dhe të tjerët që kanë fakte për këtë çështje t’i publikojnë dhe t’i adresojnë në organe të drejtësisë.

Më 06.11.2024, Parlamenti Studentor i UP-së u bëri thirrje studentëve të UP-së që ta bojkotojnë mësimin, pasi janë të pakënaqur me vendimin e rektorit Hajrullahu për emërimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës që kanë parashtruar për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve, të cilin thanë se e kanë pranuar po atë ditë.

Për dallim nga vitet e tjera akademike kur janë mbajtur afatet shtesë të provimeve, në Statutin e ri të UP-së, mbajtja e afateve shtesë të provimeve nuk përmendet.

Nga Parlamenti Studentor i UP-së i kërkuan rektorit Hajrullahu korrigjimin e një pike të vendimit të tij për emërimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve.

Sipas Parlamentit, rektori emëroi komision të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës për mbajtjen e një afati shtesë të provimeve, ndërsa i kërkoi që vendimi të korrigjohet në “diskutimet mbi afatet shtesë (afati i nëntorit dhe i prillit).

Në të njëjtën ditë, rektori Hajrullahu iu përgjigj Parlamentit Studentor të UP-së për korrigjimin që ia kërkoi në lidhje me vendimin që rektori ka marrë më 06.11.2024 për kërkesën e tyre për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve – afatin e nëntorit dhe prillit.

Një dokument që këshilltari për media i rektorit Hajrullahu, Bekim Muhaxheri, ka ndarë me KALLXO.com, më 06.11.2024, përmban përgjigjen që, sipas tij, rektori ia ka drejtuar Parlamentit Studentor.

Sipas përgjigjes së rektorit Hajrullahu, Senati i UP-së në mbledhjen e mbajtur më 30.10 2024 ka aprovuar kërkesën e shtruar nga senatorja e Parlamentit Studentor në Senatin e UP-së, që të diskutohet si pikë e rendit të ditës kërkesa për mbajtjen e afatit të provimeve të nëntorit.

Hajrullahu i ka thënë Parlamentit Studentor të UP-së se komisioni i përkohshëm për çështjen e vlerësimit të vazhdueshëm të studentëve u emërua dhe votua nga Senati i UP-së, në përbërje nga prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime – Naim Jerliu, prodekanët për çështje mësimore të të gjitha fakulteteve të UP-së, katër përfaqësuesit nga radhët e studentëve dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të UP-së, Besnik Loxha.

Ndërkaq, mbledhja e parë e këtij komisioni të formuar për vlerësim të vazhdueshëm të studentëve u mbajt më 08.11.2024, në ora 11:00.