Rufki Suma. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Anulimi i zgjedhjeve në Han të Elezit, Rufki Suma kërkon prezencë të shtuar të Policisë gjatë votimeve

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka anuluar të gjitha votat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Këtë vendim PZAP e ka marrë pas ankesës së kryetarit aktual, kandidatit të pavarur, Rufki Suma.

Lidhur me këtë vendim, Suma në një deklarim për KALLXO.com ka thënë se qysh në momentin kur kanë kuptuar se kundërkandidati Mehmet Ballazhi nga PDK ka shkuar nëpër vendvotime e kanë njoftuar Policinë dhe prokurorin.

“Qysh në ditën e zgjedhjeve, në momentin kur kemi kuptuar që kundërkandidati Mehmet Ballazhi është duke shkuar në të gjitha vendvotimet, e kemi njoftuar Policinë dhe prokurorin. Ata na preferuan që të njoftojmë edhe KKZ-në, por kemi parë që nuk është ndërmarrë asgjë”, tha Suma.

Ai shtoi se 24 orë pas shpalljes së rezultateve kanë bërë ankesë zyrtare, ku kanë njoftuar që kundërkandidati ka hyrë nëpër vendvotime bashkë me kandidat për këshilltar.

Suma tutje potencoi se në rundin e ri duhet të ketë siguri më të madhe, “për shkak të shumë kërcënimeve dhe presioneve që u bënë një natë para zgjedhjeve”.

“Në rundin e ri duhet të jemi më të vendosur, të ketë rend dhe siguri më të madhe pasi është shumë e vërtetë që një natë para zgjedhjeve ka pasur shumë dallavere, presione, kërcënime, pra as Policia nuk e ka pasur situatën nën kontroll, ku në të gjitha lagjet e Hanit të Elezit ka pasur militantë të PDK-së. Nuk e di motivin e tyre, por edhe për ta e kemi njoftuar Policinë”, shtoi tutje Suma.

Suma theksoi se prezenca e shtuar e Policisë do lejonte që qytetarët të vendosin lirshëm dhe se do pranojë çfarëdo rezultati që del.

“Në ditën që do mbahen zgjedhjet duhet të ketë më shumë policë, në mënyrë që qytetarët të jenë të lirë të vendosin, kur kjo të ndodh, çfarëdo rezultati ne do e pranojmë, ashtu si e kemi pranuar edhe këtë rezultat”, tha Suma.

Në arsyetimin e PZAP-së thuhet se zgjedhjet janë anuluar “për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve”.

Derisa, Partia Demokratike e Kosovës në Han të Elezit ka mohuar akuzat që i ka parashtruar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kandidati i pavarur për kryetar të kësaj Komune, Rufki Suma.

Sipas tyre, asnjë nga akuzat që janë në vendim të PZAP-së nuk janë të vërteta.

Këtu gjeni vendimin e PZAP për anulim të zgjedhjeve në komunën e Hanit të Elezit.