Anulimi i dy konkurseve, nxënësit e 6 shkollave në Vushtrri humbën rreth 300 orë mësimi

Anulimi i dy konkurseve për mësimdhënës të lëndës së kimisë në Komunën e Vushtrrisë ka bërë që nxënësit e gjashtë shkollave të humbin rreth 297 orë mësimi të kësaj lënde nga tetori.

Komuna kishte hapur dy konkurse për mësimdhënës të lëndës së kimisë në fillim të shtatorit, vitin e kaluar.

Konkursi për mësimdhënës të lëndës së Kimisë me kohë të caktuar në ShFMU “GJ.K. Skënderbeu” Pantinë me plotësim norme në ShFMU “ Hajrullah Shala” Akrashticë dhe ShFMU “ Rexhep Musa” Ceceli, është anuluar më 25 tetor  pasi nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm. Konkursi është rishpallur prapë në nëntor ndërsa është anuluar përsëri më 13 janar me të njëjtën arsye, mungesë kandidatësh.

Komuna ka thënë se në pamundësi për të gjetur zëvendësim përmes konkurseve ka angazhuar një mësimdhënës tjetër me orë shtesë derisa të përfundojnë procedurat e konkursit.

Nxënësit e këtyre tre shkollave nga 3 tetori 2022 e deri në janar të këtij viti nuk kanë pasur mësimdhënës të lëndës së kimisë duke humbur 159 orë mësimi.

“Konkursi për lëndën e Kimisë me kohë të caktuar (për pushim të lehonisë) është hapur më datë: 08.09.2022.  Nga 3 tetori 2022 nuk ka mësimdhënës/e  në këtë shkollë, pasi që mësimdhënësja e lëndës së Kimisë ka hapur pushim mjekësor para lindjes. Me 12 nëntor 2022,  mësimdhënësja  ka lindur dhe e njëjta ka hy në pushim të lehonisë. Pra Drejtoria Komunale e Arsimit- Vushtrri me kohë e ka shpallur konkursin bazuar në njoftimet e drejtorëve të shkollave”- konfirmon DKA në Vushtrri për KALLXO.com

Konkursi tjetër i hapur për shkollat ShMU “Nedakoc”; ShFMU “Latif Berisha” Doberllukë; ShFMU “Pestovë” dhe ShFMU “ GJ.K.Skënderbeu” Pantinë është anuluar pasi komisioni vlerësues kishte dështuar në respektimin e procedurave të rekrutimit.

“Këtë konkurs e ka anuluar Komisioni i Ankesave brenda komunës më datë: 27.12.2022. Ndërsa konkursi është hapur përsëri me datë: 27.12.2022 dhe ende nuk kanë filluar procedurat e rekrutimit”- tha DKA në Vushtrri.

138 orë të lëndës së kimisë janë humbur në tri shkollat për shkak të mungesës së mësimdhënësit të lëndës së kimisë ndërsa nxënësit do të testohen vetëm për temat që janë zhvilluar në orët e mbajtura.

Në fillim të janarit në të gjitha shkollat sipas komunës janë dërguar zëvendësimet me mësimdhënës.

Shënim: Për shkak të mos funksionimit të faqes së Komunës së Vushtrrisë, linqet e konkurseve nuk janë bashkangjitur në artikull.