Foto: Facebook/ Anton Quni

Anton Quni: Ne vulosëm fitoren e Haskukës, ai sot vendosi të rrugëtojë pa ne

Mytaher Haskuka sot i dha fund koalicionit dhe bashkëqeverisjes me LDK-në në Prizren.

Ky vendim i kryetarit të Komunës erdhi pasi që LDK nuk mori pjesë në seancën për zgjedhjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale.

Mospjesëmarrja e LDK-së i mundësoi opozitës që ta rrëmbente këtë pozitë, e kryesues u zgjodh asamblisti i PDK-së, Sulltan Badalli.

Zgjedhja e Kryesuesit të Asamblesë, LDK e lë vetëm Haskukën

Menjëherë pas seancës kryetari Mytaher Haskuka njoftoi se tash e tutje do të vazhdojnë qeverisjen pa LDK-në.

Prishet koalicioni VV – LDK në Prizren

Anton Quni, kryetar i degës së LDK-së në Prizren, në një postim në profilin e tij në Facebook ka thënë se grupi i kuvendarëve të LDK-së në koordinim me atë nuk kanë marrë pjesë në këtë seancë.

“Kemi kërkuar nga partneri ynë që të bëjmë shpërndarjen e përgjegjësisë me bindjen se kjo do ta rriste performancën dhe efikasitetin e shërbimeve karshi qytetarëve prizrenas“, thotë Quni, duke iu referuar kërkesës së LDK-së për një drejtori më shumë nga tre sa kishte deri më sot.

Quni thotë se kërkesat për balancimin e përgjegjësisë ishte në proporcion me përfaqësimin që LDK ka në Kuvendin Komunal.

“Ishim ne që i vulosëm fitoren e kryetarit Haskuka, i cili sot vendosi që tash e tutje të rrugëtoi pa ne“, përfundon Anton Quni duke e falënderuar Haskukën për bashkëpunimin.

Quni e Haskuka kohëve të fundit janë takuar disa herë, madje duke iu dërguar edhe porosi subjekteve të tyre të marrin shembull bashkëqeverisjen e tyre në Prizren, përderisa LDK dhe LVV po negocionin për formimin e Qeverisë.

Haskuka e Quni sfidojnë Kurtin e Mustafën