Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Anton Quni jep dorëheqje nga detyra e kryetarit të LDK-së në Prizren

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të LDK-së – Dega në Prizren.

Quni përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri te ky vendim ka ardhur pas rezultatit të zgjedhjeve lokale.

“Këtë vendim e mora si përgjegjësi morale e imja për mosarritjen e rezultatit të duhur në zgjedhjet lokale. Përkundër ngritjes së numrit të votave, në krahasim me zgjedhjet nacionale 2021, dhe rritjes se numrit të kuvendarëve, ishte e pamjaftueshme që të jemi në raundin e dytë për të parin e komunës”, ka thënë ai.

Tutje ai ka njoftuar se këtë detyrë do të ushtrojë nënkryetari Hatim Baxhaku.

“Nga sot, me pajtimin e Kryesisë së Degës, autorizimet e mia i kam bartur tek Nënkryetari Dr. Hatim Baxhaku i cili, ditëve në vijim do ti bashkëkoordinoi veprimet e aktivitetet me Kryetarin LDK-së, z. Lumir Abdixhiku. Unë vazhdoj të mbetem dhe të angazhohem si anëtar i Kryesisë së Degës, Nënkryetar i LDK-së në qendër dhe deputet i GP të LDK-së”, ka theksuar ai.

Sipas tij, udhëheqja e degës ishte privilegj dhe përvojë e mirë, duke theksuar se tani është nevoja e një riorganizimi të degës.

“Jam i bindur se me dorëheqjen time po mundësohet një riorganizim më i mirë i LDK-së në Prizren, nëndegëve dhe forumeve, me të cilin do të krijohen parakushtet për afirmimin e të rinjëve te Prizrenit, ruajtjen e bërthamës por edhe hapjen e dyerve për më shumë njerëz e kuadro që do ta forcojnë LDK-në dhe do ta bëjnë konkurente serioze për ciklin e ri zgjedhor”, ka theksuar ai.

Në zgjedhjet lokale, deputeti Anton Quni ka qenë kandidat për kryetar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Quni ka siguruar 8 mijë e 705 vota apo 14.98 për qind, duke u renditur i treti, pas Mytaher Haskukës së LVV-së dhe Shaqir Totajt të PDK-së.

Pas balotazhit, kjo komunë do të udhëhiqet nga Shaqir Totaj i PDK-së.