Anton Quni del me ofertë të re për Albin Kurtin për ta tërhequr mocionin

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka kërkuar nga kryeministri Kurti që ta heq tarifën dhe ta heq vendimin për shkarkimin e Agim Veliut dhe t`i kërkoj falje LDK-së.

“Albin është një ofertë që duhesh me pas në konsideratë, është një mundësi shumë e mirë. Unë do e bëjë të pamundurën nëse ju i rishikoni këto vendime pas pauzës 1 orëshe, do ta takoj kryetarin dhe do të bisedoj me deputetët që ta tërheqin mocionin, nëse kthehet Agim Veliu dhe nëse reflektoni në raport me taksën”, tha ai.

Quni tha se duke e marrë parasysh ideologjinë e dy partnerëve të koalicionit LDK dhe LVV atëherë është e pamundur me u kriju uniformitet.

“Nëse ka qëndrime të ndryshme dhe organizimi funksionin është LDK, nëse ka qëndrime uniforme janë LVV-ja, PDK, AAK dhe partitë e tjera, unë mendoj se vlerë është kultura që e praktikon LDK”, tha ai.

Ministri i Mbrojtjes nuk e mohoi që ka pasur tentim-puç ndaj qeverisë Kurti, mirëpo shtoi se kryeministri nuk është dashur të bie në grackë.

“Kryeministri duhet me qenë menaxher aq i mirë, të gjitha ato presione me marrë vendime për të mirën e shtetit. Këtu u ngritën disa tema a ka komplote a konspiracione, a është ndonjë arsye tjetër, po, ka edhe komplote edhe konspiracione, ka aktivitete të shërbimeve të ndryshme por të gjitha këto një kryeministër duhet me i pas parasysh dhe nuk duhet me ra në grackë”, tha ai.

Duke ju referuar deklaratës së bash partiakut Veliu, për të cilën është shkarkuar, Quni ka thënë që ai ka mbetur mes dy qëndrimeve.

“Pasi e patëm një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare kam mujt edhe unë me qenë një ndër ata që do të intervistohej dhe nëse më pyetnin do të isha në siklet a do të duhet të jem në vijë me kryetarin e partisë apo me kryeministrin i cili thotë se nuk ka nevojë për situatë të jashtëzakonshme”, tha ai.

Kurti në seancën kur pritet të votohet mocioni për shkarkimin e tij tha që ndaj qeverisë së tij ka pasur një tentim-puç.

Mospajtimet për heqjen e tarifës si dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, për shkak të deklaratës së tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së coronavirusit po përmenden si arsye nga LDK –ja për t’i dhënë fund koalicionit i cili para se të arrihej ishte quajtur si ‘koalicion i shpresës’.

 

LIVE – Vazhdimi i Seancës për mocionin ndaj Qeverisë Kurti

Publiée par Kallxo.com sur Mercredi 25 mars 2020