Antivakserët turq do të krijojnë një parti politike

Haci Ali Ozhan, avokat dhe noter në Kirikkale, provincë në rajonin qendror të Anadollit të Turqisë, tha të premten se janë depozituar dokumentet në Ministrinë e Brendshme për të krijuar një parti të re politike kundër vaksinimit të quajtur Partia për Jetën pa Imponime.

Ozhan i tha gazetës së përditshme turke Sozcu se partia kundërshton ndërhyrjet shtrënguese për të frenuar pandeminë dhe masat që ai pretendonte se shkelin integritetin trupor të njerëzve, raporton BalkanInsight.

“Ne kundërshtojmë planet për lëngje kimike të quajtura vaksina që mbajnë çipa dhe synojnë të skllavërojnë njerëzit”, tha ai.

Ai shtoi se partia kundërshton edhe testet PCR, maskat dhe masat e tjera pandemike.

“Ne duam një jetë pa imponime”, tha ai.

Ai shtoi se partia nuk do të ketë ambicie politike jashtë synimit të saj kryesor.

“Partia jonë do të punojë vetëm për një qëllim, që është lufta [e qeverisë] kundër pandemisë dhe partia do të shpërbëhet kur të përfundojë misioni”, tha ai.

Lëvizja turke kundër vaksinimit është rritur gjatë periudhës së pandemisë dhe ka organizuar disa protesta të mëdha në Stamboll dhe qytete të tjera të mëdha turke, të quajtura “Zgjimi i Madh”.

Së fundmi kjo parti organizoi një tjetër protestë përpara ndërtesës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Stamboll.

Deri më tani, më shumë se 117 milionë vaksina u janë dhënë njerëzve në Turqi. Gjithsej 55.5 milionë njerëz kanë marrë një dozë, ndërsa 49 milionë njerëz kanë marrë dy.

Turqia nuk ka mungesë të furnizimeve të vaksinave dhe është afër prodhimit të vaksinës së saj vendase, Turkovac.

Megjithatë, vaksinimet nuk kanë arritur ende nivelin e dëshiruar të autoriteteve dhe infeksionet ditore dhe vdekjet për shkak të COVID-19 janë ende të larta.

“Njerëzit e vaksinuar me njërën dozë përbejnë 67.5 për qind të popullsisë së përgjithshme, ndërsa njerëzit e vaksinuar me dy doza përbejnë 59 për qind. Ne duhet ta rrisim [këtë të fundit] në 70 për qind për imunitetin komunal”, tha ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca në një konferencë për shtyp të mërkurën.

Turqia regjistroi gati 30 mijë raste të reja dhe 228 vdekje të reja, të enjten. Numri i përgjithshëm i personave të infektuar të enjten ishte 199 mijë.