Shfaqja "O. Taka", Foto: Sinan Kajtazi/Facebook

Antikorrupsioni konstaton konflikt interesi në shfaqjen e Sinan Kajtazit

Në muajin mars dhe prill, Kallxo.com kishte raportuar se solisti i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi kishte qenë pjesë e takimit ku është vendosur për fatin e projektit të tij.

Kolegët e tij kanë vendosur që ta përkrahin shfaqjen e baletit “O. Taka”, në kohën kur ky si kryetar i Këshillit Drejtues ka qenë i pranishëm në mbledhje.

Kajtazi ka qenë në krye të Këshillit Drejtues kur i ishte sjellë për votim projekt-propozimi në të cilin radhitej edhe shfaqja “O.Taka”, të cilës do t’ia realizonte koreografinë, libretin dhe muzikën.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka konstatuar se ky veprim bie ndesh me Statutin e Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Konkretisht me nenin 23 paragrafi 2 ku në mënyrë decidive thuhet se “Drejtori i Përgjithshëm, Udhëheqësi artistik dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të BKK-së, nuk kanë të drejtë që gjatë mandatit të tyre të merren me punë krijuese të kontraktuara në Institucionin ku punojnë””, thuhet në opinionin e AKK-së.

Në mbledhjen e mbajtur në muajin dhjetor të 2017, ku është diskutuar edhe projekt-propozimi i drejtorit të BKK-së, Ahmet Brahimaj, për vitin 2018, ku ka qenë edhe shfaqja “O.Taka”, Kajtazi ka treguar se nuk ka votuar as diskutuar rreth projekt-propozimit.

“Katër anëtarët tjerë të Këshillit Drejtues të BKK-së, kanë votuar pro miratimit të projekt-propozimit për 2018 dhe rrjedhimisht vota ime ka qenë e pavlefshme në atë rast, për shkak se sipas ligjit, vendimet e KD-së kalojnë ose jo me shumicë votash, dmth me tre vota të anëtarëve. Pra unë si kryetar i Këshillit Drejtues, nuk kam marrë pjesë në votim”, ka deklaruar Kajtazi për Kallxo.com.

Më 20 gusht, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte nxjerrë një vendim ku obligohej Kajtazi t’i kthej paratë të cilat i janë paguar në lidhje me shfaqjen e baletit “O. Taka”.

Në llogari të balerinit Sinan Kajtazi, i cili ka realizuar koreografinë, libretin dhe muzikën e shfaqjes së baletit “O.Taka” janë derdhur 1505 euro nga buxheti i Ministrisë së Kulturës. Gjithsej Kajtazi do të duhet të paguhej 4 mijë euro, por vetëm më pak se gjysma i janë paguar atij.

“Bazuar në opinionin e Departamentit ligjor, ju duhet t’i ktheni mjetet të cilat i keni pranuar për shfaqjen “O.Taka” sepse sipas Rregullores nga e cila ju jeni paguar, e njëjta është shfuqizuar me Rregulloren e Qeverisë Nr. 15/2018. Ju lusim që brenda një afati të shkurtër t’i ktheni mjetet në mënyrë që ne si Ministri të jemi në respektim të plotë të akteve ligjore”, thuhet në kërkesën e Ministrisë së Kulturës drejtuar Kajtazin.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Sinan Kajtazi kishte deklaruar se kërkesa e MKRS-së për t`i kthyer paratë më shumë i ngjan një këshille se sa ndonjë vendimi obligues.

“Unë ia kam kthy emailin ministrisë, i kam tregu që shfaqja ka filluar në tetor tash te shohim hapat në vazhdim. Mua mu dok që ke një email pak i pa, domethënë nuk është vendim ajo, është thjesht këshillim i Zyrës ligjore, s’ka ndonjë vendim këtu. Tash unë nuk mundem të jap kurrfarë qëndrimi për atë kohë sepse nuk e di qysh ka qenë puna në mënyrë administrative. Unë e di që shfaqja ka filluar në tetor dhe nuk besoj që ka ndonjë problem pse rregullorja është shfuqizuar më vonë”, kishte deklaruar Kajtazi.

‘O. Taka’ e Sinan Kajtazit përfundon në Komisionin e MKRS-së për Parandalimin e Konfliktit të Interesit

Dyshimet për konflikt interesi, MKRS i kërkon Sinan Kajtazit t’i kthej paratë që i mori për shfaqjen ‘O. Taka’

.