Antikorrupsioni gjen shkelje në tenderin e Ministrisë së Arsimit

Agjencia Kundër Korrupsion ka gjetur shkelje ligjore në një tender në vlerë prej 1 milion eurosh të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).

Në tenderin “Furnizim me inventar në shkollat e arsimit parauniverstar”, i cili ishte shpallur me 24 shtator, AKK ka gjetur se kërkesat që MAShT-i i ka vendosur për operatorët ekonomikë janë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik.

Vërejtjet që Antikorrupsioni i ka dhënë ndaj MAShT ka qenë kushtëzimi që kompanitë që konkurrojnë të kenë së paku një kontratë mbi 1 milion euro, të dëshmojnë se mesatarja e të punësuarave është 20 persona, lista e këtyre punëtorëve me kontrata pune e vërtetuar nga ATK-ja dhe  në mesin e tyre të jenë një inxhinier i diplomuar i arkitekturës dhe një inxhinier i industrisë së drurit dhe dokumente të tjera shtesë.

AKK ka shtuar se kjo kërkesë nuk është në pajtim me dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik, më saktësisht me nenin 69.

“Bazuar në dispozitat të Ligjit në fuqi për Prokurim Publik dhe rregullat dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik, autoriteti kontraktues mund të kërkojë minimumin e mesatares së fuqisë punëtore dhe stafit menaxherial për secilin  nga tri vitet e fundit, ku si dëshmi mund të kërkojë një deklaratë apo raport për fuqinë mesatare punëtore dhe numrin mesatar të personit udhëheqës të operatorit ekonomik për secilin nga tri vitet e kaluara”, thuhet në arsyetimin e AKK-së.

Agjencia Kundër Korrupsion ka thënë se kërkesat e MAShT, si në rastin konkret kufizojnë konkurrencën e lirë dhe diskriminojnë operatorët ekonomik, të cilët kanë një kapacitet të kënaqshëm ekonomik, teknik-profesional.

“Agjencia konsideron se Autoriteti Kontraktues nuk ka të drejtë të bëjë kufizimin e numrit të kontratave dhe referencave në vlerën e caktuar. E rëndësishme për Autoritetin Kontraktues është që ta vërtetojë se operatorët ekonomik përmbushin vlerën minimale, e cila është kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, pavarësisht numrit të kontratave dhe referencave”, thuhet tutje në opinionin e Antikorrupsionit.

AKK ka listuar edhe shkeljet që sipas tyre janë bërë nga ana e MAShT.

“Veprimet e Autoritetit Kontraktues konsiderojmë se bien ndesh me nenin 7, Barazia në Trajtim/ Jo-Diskriminimi në nenin 27 Dosja e Tenderit, nenin 69 Kapaciteti teknik/profesional të Ligjit për Prokurimin Publik nr.04-L/042, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.04/L-237, Ligjin nr.05/L-058 dhe Ligjin nr. 05/L-092 dhe nenin 26 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik”, thuhet në arsyetim.

Në fund antikorrupsioni ka kërkuar nga MAShT që t’i evitojë shkeljet në këtë tender.

Por, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e ka arsyetuar me gabim teknik këtë gjetje të AKK-së.

“Lidhur më kërkesën tuaj për tenderin: Furnizim me inventar ne shkollat e arsimit para universitar, ju njoftoj se në Njoftimin për Kontratë, kanë rrjedhur disa gabime teknike, të cilat janë përmirësuar gjatë zhvillimit të Procedurës së Prokurimit,  në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës   më  nr. 04/l-042 ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/l-237, ligjin nr. 05/l-068 dhe ligjin nr. 05/l-092   dhe Rregulloreve në fuqi  lidhur më tenderin në fjalë”, ka bërë të ditur menaxherja e zyrës së Prokurimit në MAShT, Arberita Tafilaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ajo ka shtuar se e kanë  për bazë opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion dhe kanë bërë ndryshimet e përmendura.

“Sa i përket Opinionit të lëshuar nga AKK-ja, ne si Autoritet Kontraktues, i kemi marrë për bazë Opinionet e tyre dhe kemi bërë përmirësimin e kritereve në Dosje të Tenderit dhe në Njoftimin për Kontratë, përmes formularit të korrigjimit të gabimeve,  para hapjes së tenderit.  Dëshmitë për këtë përmirësim i gjeni në platformën E-prokurimi, në lëndën përkatëse”, ka thënë Tafilaj.

Në modifikimin e tekstit të këtij tenderi në e-prokurim,  MAShT e ka bërë nga “Operatori ekonomik duhet duhet të dëshmojë se mesatarja e të punësuarve që do të angazhohen në këtë projekt duhet te jetë 20” në “Operatori ekonomik duhet të dëshmojë se mesatarja e të punësuarve në çdo vit duhet të jetë minimum 20 punëtor”.

Po ashtu ndryshimi tjetër është tek kontratat që ka bërë kompania në të kaluarën.

“Së paku tri kontrata me referenca për furnizime të njëjta në tri vitet e fundit para njoftimit për kontratë, Të këtë se paku një kontratë në vlerë 1.500.000,00€”, ka qenë në fillim duke e ndryshuar në “Furnizime të realizuara në tri vitet e shkuara nga data e publikimit të (Njoftimit për Kontratë),e vërtetuar nga OE, ku përfshihen titujt e projekteve, numri, data e kontraktimit dhe vlera, minimale duhet të jetë 1.500.000,00€”.

www.kallxo.com