Martin Berishaj, Foto:Facebook

Antikorrupsioni dorëzon kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj

Agjencia Kundër Korrupsion ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Marin Berishaj.

Rastin për KALLXO.com e kanë konfirmuar burime brenda institucionit i cili bën hetimin e korrupsionit për zyrtarët publik në vend.

Që nga muaji prill i këtij viti, Antikorrupsioni kishte nis hetimet për Ambasadorin Berishaj.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Ambasadës së Kosovës në Kroaci për të pyetur Berishajn rreth rastit, por deri në publikimin e këtij shkrimi, ata nuk janë përgjigjur.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Zyra e Presidentes së Kosovës ka njoftuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, një raport me shkrim për artikullin e publikuar në një media në Slloveni.

Martin Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci në vitin 2021.

Sot gjatë ditës, kanë reaguar edhe partitë opozitare në vend, duke kërkuar që ambasadori Berishaj të shkarkohet nga posti.