Antikorrupsioni dorëzon kallëzim penal kundër kryeprokurorit Blerim Isufaj

Agjencia Kundër Korrupsion ka ushtruar kallëzim penal kundër kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajt.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i kësaj Agjencie, Ylli Buleshkaj.

“AKK ka dorëzuar kallëzim penal kundër Blerim Isufjt”, tha shkurt Buleshkaj.

Sipas Agjencisë, Isufaj dyshohet se ka bërë deklarimit të rremë të pasurisë, përkatësisht ka rënë ndesh me nenin 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 430 të Kodit Penal.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me Isufajn mirëpo i njëjti ishte i paqasshëm në telefon.

Kallëzimi penal ndaj Isufajt vjen në prag të garës për Kryeprokuror të Shtetit, në të cilën ai ka konkurruar.

Deri me tani për këtë pozitë përpos Isufajt kanë kandiduar edhe Arben Ismajli – prokuror në Prokurorinë e Apelit; Armend Hamiti – prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi – kryeprokuror në Prokurorinë e Prishtinës; Lulzim Sulejmani – prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shqipdon Fazliu – prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i skadon mandati në muajin prill.