'Antifushata' e PDK-së: Isa Mustafa nuk u beson të rinjve

Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës (RDK), organi që mbledh rininë e PDK-së, kanë postuar një video në Facebook, ku kanë thumbuar kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Në videon e postuar, shihen fotografi me kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, dhe ish deputetët e LDK-së, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Driton Selmanaj, duke u larguar me gërshërë nga fotoja si aludim që nuk u zgjodhën anëtarë të kryesisë së re të LDK-së.

“Isa Mustafa nuk ua beson të rinjve as partinë dhe as Kosovën”, shkruan në këtë video.

Anti fushata e PDK-së ndaj Isa Mustafës vazhdon me një shkrim të shkurtër, ku shkruan se “PDK-ja i promovon të rinjtë”.

“Kosova ka nevojë për një udhëheqës që fuqizon rininë dhe beson në të. Kadri Veseli është i vetmi që e ka dëshmuar këtë, duke iu dhënë njerëzve të rinj besimin që të jenë pjesë e vendimmarrjes për vendin”, thuhet në shkrimin që është i shoqëruar me videon në të cilën promovohen Uran Ismaili, Eliza Hoxha, Abelard Tahiri e Kujtim Gashi.

Këtë video e ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook edhe këshilltari i Kadri Veselit, Blerand Stavileci.

Në anën tjetër kreu i LDK-së, sot gjatë ditës, nëpërmjet një postimi në Facebook, kishte shkruar se po shpenzohen shuma të mëdha parash për të përçarë Lidhjen Demokratike. Ai ka shkruar se ish deputetët që nuk janë zgjedhur në kryesi, janë zgjedhur anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm.

Isa Mustafa: Po shpenzohen shuma të majme të parave për ta përçarë LDK-në