Ndërtesa e Rektoratit të UP-së | Foto: KALLXO.com

Anti-Korrupsioni thotë se nuk kanë pranuar kërkesë në rastin e kandidatit për rektor, Zenun Halili

Universiteti i  Prishtinës “Hasan Prishtina” më 1 tetor pritet që të ketë rektorin e ri që do të udhëheqë këtë institucion për katër vitet e ardhshme, por procedimi për intervistimin e të kandidatëve për rektorë ende nuk ka ndodhur.

Kjo pasi që Zenun Halili, kandidat për rektor në Universitetin e Prishtinës ishte eliminuar nga gara nga Komisioni Profesional për shqyrtimin e aplikacioneve të konkursit për rektor, të formuar nga Senati, me arsye se Halili ka konflikt interesi.

Më pas, Kryesuesi i Këshilli Drejtues të Universitetit të Prishtinës ka thënë se në lidhje me këtë rast po presin përgjigje nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Megjithatë, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), tha për KALLXO.com tha se nuk kanë pranuar asnjë  adresim  nga personat ose mekanizmat kompetent, ose eventualisht palët e  pakënaqura në lidhje me rastin e Zenun Halilit.

Sipas Lumnije Demit, nga AKK,  adresimet që  ka pranuar Agjencia deri më tani lidhur me këtë rast,  kanë qenë pyetje të mediave.

“Lidhur me rastin për të cilin jeni interesuar, ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit nuk ka pranuar asnjë adresim nga personat ose mekanizmat kompetent, ose eventualisht palët e pakënaqura. Adresimet që ka pranuar AKK deri më tani lidhur me këtë rast, kanë qenë pyetje të drejtuara në AKK nga ana mediave”, thuhet në përgjigjen nga agjencia.

Sipas Agjencisë,  ata mund  të iniciojnë rast vetëm atëherë kur dështojnë mekanizmat paraprak për parandalimin e konfliktit të interesit, si Komisioni vlerësues, dhe Autoritetet përgjegjëse brenda institucionit publik, në këtë rast Universitetit të Prishtinës.

“Përderisa këta mekanizma e kryejnë punën e vet  ashtu siç është përcaktuar me në ligj, nuk ka nevojë për inicim të rastit nga Agjencia kundër Korrupsionit” tha Demi.

KALLXO.com nga dje është munduar të kontaktojë në lidhje me këtë çështje, kandidatin për rektor Zenun Halilin dhe kryesuesin e Këshillit Drejtues , Ujkan Bajra por të njëjtit nuk i janë përgjigjur pyetjeve as telefonatave.

Komisioni Profesional kishte eliminuar nga gara, kandidatin Zenun Halili për shkak se  në raportin final kishin konstatuar se sipas kritereve të konkursit publik, ai është në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Në lidhje me kandidimin e Zenun Halilit pati reagime edhe nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), që ka ngritur dyshime për integritetin e tij akademik dhe lidhjet politike me Ministrin e Arsimit, Ramë Likaj.

Sipas një dokumenti të siguruar nga KALLXO.com,  arsyeja pse komisioni vlerësues e ka eliminuar nga kjo garë Halilin, ishte se ai para se të kandidonte, e kishte lënë pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së.

Në bazë të vendimit të komisionit profesional, për këtë pozitë janë propozuar Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti.

Rektori zgjidhet nga Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga Komisioni profesional prej pesë anëtareve, të cilin komision e formon Senati.

Në garën për të parin e UP-së kanë qenë pesë kandidatë dhe vetëm tre prej tyre janë propozuar për rektor të UP-së që do të shqyrtohen nga Senati dhe pastaj të dërgohen në organin vendimarrës, Këshillin Drejtues të UP-së.

Konkursi për rektor të Universitetit të Prishtinës ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik në ora 15:30.