Universitetit i Pejës, FOTO: Facebook

Anti-korrupsioni e detyron prorektorin e Universitetit të Pejës të japë dorëheqje nga OJQ-ja

Agjencia kundër Korrupsion ka hasur në konflikt të interesit tek prorektori i Universetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Afrim Selimaj.

AKK ka identifikuar se përpos postit të prorektorit, Selimaj ka ushtruar edhe funksionin e kryetarit dhe përfaqësuesit të autorizuar në organizatën joqeveritare “Shoqata e Sporteve Universitare Haxhi Zeka”, në Pejë.

AKK ka bërë të ditur se pas kësaj ka kërkuar nga departamenti për OJQ në Ministrinë e Administratës Publike verifikimin e kësaj çështjeje dhe nga përgjigja e tyre zyrtare, Selimaj ka figuruar si kryetar dhe person i autorizuar i OJQ-së në fjalë.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka shtuar se pas kësaj e kanë njoftuar prorektorin e Universitetit “Haxhi Zeka” për rastin e konfliktit të interesit dhe se e kanë njoftuar atë gjerësisht se ky rast është në kundërshtim me neni 13, paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe nenin 14, paragrafi 1 të këtij ligji.

Agjencia Kundër Korrupsion më tej ka sqaruar se pas diskutimit dhe ballafaqimit të fakteve, Selimaj është pajtuar me gjetjet e Agjencisë duke deklaruar se do të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe konkrete në mënyrë që të shmang këtë konflikt të interesit.

“Ndërkohë, Agjencia ka pranuar njoftimin, më të cilin dëshmohet se zyrtari i lartë, Afrim Selimaj, ka dhënë dorëheqje nga funksioni drejtues në organizatën jo-qeveritare “Shoqata e Sporteve Universitare “Universiteti Haxhi Zeka” në Pejë”, si dhe i njëjti nuk figuron të jetë më person i autorizuar i OJQ-së në fjalë”, ka bërë të ditur anti-korrupsioni përmes një vendimi të datës 10 shtator.

Agjencia ka theksuar se mund të rihapë rastin në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja.