Anthony Blinken

Anthony Blinken i kërkon Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës

Sekretari amerikan i SHBA-ve Anthony Blinken, në një letër drejtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i ka përmendur njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, thuhet në letrën e sekretarit Blinken raporton RTK.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, një vit më parë i kishte kërkuar homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, njohjen e Kosovës së pavarur.

Në një letër urimi, të publikuar nga mediat serbe, me rastin e 15 shkurtit – Ditës Kombëtare të Serbisë, Biden thekson se ShBA qëndron përkrah Serbisë në synimin për integrimin europian dhe e inkurajon të vazhdojë të bëjë hapa përpara për të arritur këtë qëllim – përfshirë realizimin e reformave të domosdoshme dhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizim me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Gjatë ditës së sotme edhe presidenti francez Emmanuel Macron përmes një letre ku ka uruar Serbinë për Ditën e Shtetësisë së saj, ka pasur disa fjalë edhe për procesin e dialogut Kosovë – Serbi.