Qyetetari thotë se iu bllokua hyrja në pronë

Ankohet qytetari, pretendon se kompania për largimin e borës ia bllokoi hyrjen në pronë

Qasja në disa prej vilave në Brezovicë është bërë pothuajse e pamundur.

Qytetari Ardian Abduhrramani pretendon se kompania e cila është përgjegjëse për pastrimin e rrugës, duke e larguar borën ia ka bllokuar hyrjen në pronën e tij.

Ai thotë se tash e dy javë nuk ka mundur të hyjë brenda shtëpisë.

“Të dy hyrjet janë të bllokuara, ka sasi shumë të madhe të borës. Kjo qëndron tash e dy javë dhe e kemi të pamundur me hy brenda. Nuk po dimë as ku te drejtohemi. Tash e kemi edhe sezonin kur i lëshojmë me qira por tash e dy javë s’i kemi lëshuar fare. Kjo krejt si pasojë se kompania e kontraktuar nuk është brengosur fare për hyrjet tona” – tha Abdurrahmani për KALLXO.com.

Nga kompania “VIA” SH.P.K., e cila e ka tenderin për mirëmbajtjen e rrugës, thonë se nuk janë përgjegjës për pastrimin e borës para hyrjeve të shtëpive private.

“Ne e kemi për detyrë me e pastru vetëm rrugën kryesore. Hyrjet dhe daljet e shtëpive janë detyrë e secilit t’i pastrojë vetë. Ne nuk e kemi të paraparë me pastru hyrjet e shtëpive dhe rrugicave. Ato janë sa e di unë të Komunës së Shtërpcës. Këtë problematikë po e kemi gjithmonë, po bllokohemi shpesh sepse po na e vështirësojnë punën sepse kur s’po i zhbllokojnë parkingjet e tyre dhe rrugicat, po i parkojnë kerret në rrugë dhe po na vështirësojnë punën” – tha Drilon Shamolli për KALLXO.com.