Ankesat për padrejtësi në konkursin e Fakultetit të Mjekësisë, reagon kundërkandidati

Fatos Sada, kandidat për pozitën e Profesorit Asistent në konkursin e fundit të Fakultetit të Mjekësisë ka reaguar ndaj pretendimeve të kundërkandidates së tij Agreta Gecaj- Gashi se ai nuk ishte meritor për t’u propozuar në atë pozitë.

Agreta Gecaj- Gashi dhe Fatos Sada kishin konkurruar për pozitën Profesor Asistent në konkursin e Fakultetit të Mjekësisë të datës 22 tetor 2019 për një grup lëndësh.

Dyshimet për diskriminim në konkurs e kanë shtyrë kandidaten Agreta Gecaj- Gashi të ankohet në komisionin e ankesave.

Komisioni Recensues kishte rekomanduar kandidatin Sada për këtë pozitë si kandidati më i kualifikuar.

Megjithatë sipas kandidates Gecaj-Gashi, kandidati Sada është më pak i kualifikuar se ajo dhe se kanë ndikuar shumë faktorë që komisioni recensues rekomandoi Sadën.

Gecaj- Gashi pretendon se është diskriminuar në të gjitha pikat karshi kundërkandidatit. Ajo madje vë në dyshim paanshmërinë e komisionit recensues që ka bërë këtë përzgjedhje.

Pretendimet e saja, Gecaj- Gashi i kishte ngritur në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë. Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë, më pas vendosi që në lidhje me këtë rast të vendoset sërish nga Komisioni Recensues.

Por, kandidati Sada në një deklarim për GJNK, ka thënë se i ka plotësuar të gjitha kushtet të cilat janë të përcaktuara me rregullore dhe statut të Universitetit të Prishtinës.

Sada ka thënë se diferenca në mes tij dhe kundërkandidates bëhet me përvojën e punës që ka ai, rezultatet si asistent i rregullt, nota mesatare më e lartë, si dhe trajnimet për mësimdhënie që ai ka.

Sipas tij, ai ka dy të trajnime të tilla pranë Qendrës për Përsosmëri të Studimeve në UP, dhe dy në nivel të Shoqatës Evropiane të Anestezionit të mbajtura në Rigë/Letoni dhe në Bruksel/Belgjikë.

Sada thotë se ka përvojë 12 vjeçare në mësimdhënie si asistent i rregullt pranë Fakultetit të Mjekësisë dhe se avancimi i tij ka qenë kërkesë e Fakultetit drejtuar Rektoratit.

“Të gjitha kushtet e parapara me rregullore dhe sipas statutit të UP, pikë për pikë, i përmbushi që të avancohem ne pozitën e Profesorit Asistent, që edhe ka qenë kërkesa e drejtuar rektoratit të UP nga ana e Fakultetit të Mjekësisë, për avancim nga pozita e asistentit në pozitë të profesorit asistent”, thuhet në reagimin e Sadës.

Ai ka përmendur edhe notën mesatare të kundërkandiates, që sipas tij, ka ndikuar që Gecaj- Gashi të refuzohej dy herë në konkurset për asistente të rregullt.

“Nuk mundem me kuptu si kolegia ime në këtë rast dr. Agreta Gecaj- Gashi, merr guximin të shkruan nëpër media, kur nota mesatare e saj gjatë studimeve është 7.6 (krahasuar me timen 8.9), dhe mu ky fakt ka qene arsyeja, që dr. Agreta Gecaj-Gashi, u refuzu në të kaluarën dy herë në konkursin për asistent të rregullt pranë Fakultetit të Mjekësisë (një herë edhe nga Rektorati i UP), ngaqë një person, nuk mund të zgjidhet as asistent i rregullt nëse nota mesatare e tij/saj nuk është mbi 8.0 (e tash po flasim për instancë edhe më të lartë!!!)”, ka vazhduar më tej Sada.

Sada ka vënë dyshime edhe në doktoratën e kundërkandidates.

Ai ka thënë se kandidatja është refuzuar nga Universiteti i Prishtinës pasi ka pasur notë mesatare më të ulët se 8.

Sipas tij, nota mesatare e kundërkandidates ka ndikuar që ajo të mos jetë as si e angazhuar në Universitetin e Prishtinës.

“Dr. Agreta Gecaj- Gashi e cila në të kaluarën i ka 8 semestra angazhim, prapë në dy vitet e fundit akademik nuk ka mundur as të jetë e angazhuar si asistente pranë këtij Fakulteti, gjë që flet për ndërprerje të angazhimit/punës në Fakultetin e Mjekësisë si e angazhuar. Për arsye të njëjtë, kandidatja në të kaluarën është refuzuar edhe në studimet e doktoratës pranë UP. Studimet e doktoraturës që i ka të regjistruara ne Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, bën mirë të tregon dhe dëshmon kush i ka ndihmuar të regjistrohet, dhe si i ka regjistru,  pasi që edhe ne Universitetin e Shkupit, është imperativ, domosdoshmëri, që nota mesatare të jetë mbi 8.0 për të qenë e përfshirë në këto studime”, ka përfunduar Sada.

Ky rast, është diskutuar edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë të mbajtur të premten.

Këshilli mori vendim që raporti i Komisionit Recensues për dy kandidatë për këtë pozitë, të kthehet sërish në rivlerësim pasi njëri prej anëtarëve të komisonit nuk kishte dhënë fare vlerësim për kandidaten Agreta Gecaj-Gashi.

Kandidatët do të vlerësohen nga komisioni i njëjtë, i cili i ka vlerësuar edhe herën e parë.

Gazeta Jeta në Kosovë, para publikimit të artikullit me pretendimet e kandidates Agreta Gecaj-Gashi, kishte kërkuar përgjigje nga kandidati Fatos Sada. Gazeta i ka dhënë kohë të arsyeshme për përgjigje kandidatit dhe të njëjtin e ka paralajmëruar për kohën e publikimit të artikullit.

Edhe deri në momentin e publikimit të artikullit, kandidati nuk i është përgjigjur pyetjeve të adresuara nga gazeta mirëpo ka dërguar reagimin si më poshtë:

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Fatos Sadës:

Jam shume i befasuar me interesimin e mediave dhe “pluhurin” qe po ngritet lidhur me konkursin e fundit të shpallur nga ana e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për pozitën e Profesorit Asistent në lëndën e Anesteziologjisë dhe Reanimacionit. Ne fakt shihet nga shkrimet që mediat janë të ndikuara, nga ana e koleges time dhe prizmi i saj jo real i situates.  Më tutje gjeni shkrimin tim kundrejt kësaj situate.

Në këtë konkurs nuk ka asgjë të paqartë, por nëse ndokush ka paqartësi po ju jap disa sqarime në vazhdim. Po flas per veten; une Ass.dr. Fatos Sada MSC PhD, i kam kontribuar Fakultetit te Mjekësisë, Universitetit të Prishtinës që 12 vite te plota, jam asistent i rregullt, me orar të plotë të punës pranë këtij Universiteti prej vitit 2007, kur në moshën 32 vjeqare jam zgjedhur asistent i rregullt, ngaqe në atë kohë kam qene specialist i lëmisë së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, si dhe kam pas gradën shkencore Magjistër i Shkencave dhe notën mesatare gjatë studimeve mbi 8.0. Për kualitetin tim gjatë kësaj periudhe, punës si asistent, ju ofroj të bëni një sondazh te ish studentët e mi dhe të shiqoni vlerësimin që do ju dhënë ata, ju premtoj se do të befasoheni nga reagimet pozitive, sepse ne jemi duke konkuru për mësimdhënie. Të gjitha kushtet e parapara me rregullore dhe sipas statutit të UP, pikë për pikë, i përmbushi që të avancohem ne pozitën e profesorit asistent, që edhe ka qenë kërkesa e drejtuar rektoratit të UP nga ana e Fakultetit të Mjekësisë, për avancim nga pozita e asistentit në pozitë të profesorit asistent.

Nuk mundem me kuptu si kolegja ime në këtë rast dr. Agreta Gecaj-Gashi, merr guximin të shkruan nëpër media, kur nota mesatare e saj gjatë studimeve është 7.6 (krahasuar me timen 8.9), dhe mu ky fakt ka qene arsyeja, që dr. Agreta Gecaj-Gashi, u refuzu në të kaluarën dy herë në konkursin për asistent të rregult pranë Fakultetit të Mjekësisë (një herë edhe nga Rektorati i UP), ngaqë një person, nuk mund të zgjidhet as asistent i rregullt nëse nota mesatare e tij/saj nuk është mbi 8.0 (e tash po flasim për instancë edhe më të lartë!!!). Dr. Agreta Geci-Gashi e cila në të kaluarën i ka 8 semestra angazhim, prap në dy vitet e fundit akademik nuk ka mundur as të jetë e angazhuar si asitente pranë këtij Fakulteti, gjë që flet për ndërprerje të angazhimit/punës në Fakultetin e Mjekësisë si e angazhuar. Për arsye të njejt, kandidatja në të kaluarën është refuzuar edhe në studimet e doktoratës pranë UP. Studimet e doktoraturës që i ka të regjistruara ne Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, bën mirë të tregon dhe dëshmon kush i ka ndihmu të regjistrohet, dhe si i ka regjistru,  pasi që edhe ne Universitetin e Shkupit, është imperativ, domosdoshmëri, që nota mesatere të jetë mbi 8.0 për të qenë e përfshirë në këto studime.

Përvoja e ime e punës, rezultatet e mia gjatë punës si asistent i rregullt, nota mesatare më e lartë, si dhe trajnimet për mësimdhënie që une i kam katër sosh, dy pranë Qendrës për Përsosmëri të Studimeve në UP, dhe dy në nivel të Shoqatës Evropiane të Anestezionit të mbajtura në Rigë/Letoni dhe në Bruksel/Belgjikë (krahasuar me kundërkandidaten që ska të kryer asnjë trajnim) më bëjnë të ju kujtoj opinionit kush ka përparësi.

Dhe në fund, shpifjet, shantazhet që është duke i përdor në media dhe intervenimet që kan arritur nga ana e saj tek secili anëtar i Komisioneve të përfshira në këtë proces, e që mëtojnë të përfundojnë edhe në Rektoratin e UP, mendoj se nuk kan vend në këtë proces. Mua më vjen keq që ajo e ka humbur një shok dhe kolegë të saj, i cili gjatë tërë karrierës së saj, i ka qëndruar pranë.

  1. Ky është shkrimi im i vetëm dhe i fundit drejtuar mediave, ngase mendoj që vendimi për këtë pozitë duhet të mirret në institucionet gjegjëse.

Përzgjedhja e dyshimtë, anesteziologia ankohet për diskriminim në konkursin e UP-së

Konkursi kontravers në Fakultetin e Mjekësisë, Këshilli merr vendim