![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2022/09/NIM5284-1536x1022-1-720x480.jpg)
Matësit për radiatorë
Ankesat për fatura të larta të Ngrohtores së Qytetit në Gjakovë, ZRrE thotë se mund të ketë gabime në leximin e matësve
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka thënë se nuk ka rritje të tarifave për Ngrohtoren e Qytetit në Gjakovë, për sezonin e ngrohjes 2024-2025 dhe sipas tyre, arsyeja e faturave të larta për qytetarët e Gjakovës është se mund të ketë gabime në leximin e matësve.
Ditëve të fundit qytetarët që furnizohen me ngrohje nga Ngrohtorja e Qytetit në Gjakovë janë ankuar për fatura tepër të larta.
Sipas të dhënave që ka ofruar ZRrE, tarifa fikse e konsumit për konsumatorët shtëpiak është 0.90 euro, kurse tarifa variabël është 53.62 euro. Ndërsa për sezonin 2023/2024 tarifa fikse ka qenë 0.81 euro, kurse tarifa variabël ka qenë 54.50 euro.
“Nuk ka rritje të tarifave për sezonin 2024/25. Megjithatë, janë regjistruar ankesa nga konsumatorët lidhur me faturat e larta, të cilat mund të kenë origjinë nga gabime në leximin e matësve. Aktualisht, ne jemi në pritje të vendimeve nga NQ Gjakova në lidhje me shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave të paraqitura nga konsumatorët” – kanë thënë nga ZRrE për KALLXO.com.
Në anën tjetër, Ngrohtorja e Qytetit në Gjakovë ka thënë se për dallim nga sezoni paraprak, këtë sezon faturimi ka filluar të bëhet sipas konsumit, në bazë të njehsorëve dhe kjo sipas tyre, është arsyeja e dallimit në çmimet e faturave.
“Paisjet e reja që janë montuar në vitin 2022 nëpër nënstacione termike të konsumatorëve tanë regjistrojnë vlerën reale të konsumit. Dallimi është në ndryshim të mënyrës së faturimit. Sezonin 2023/2024 janë faturuar me metër katror, kurse tani në bazë të konsumit me MË/h. Të gjithë konsumatorët që janë të pajisur me njehsorë faturohen në bazë të konsumit, kurse konsumatorët të cilët nuk kanë njehsorë faturohen në bazë të sipërfaqes ngrohëse derisa të pajisen me njehsorin” – kanë thënë nga Ngrohtorja e Qytetit.
Deri më tani Ngrohtorja në Gjakovë ka marrë rreth 100 ankesa nga qytetarët për çmimet e larta të faturave, ndërsa ZRrE-ja ka pranuar 23 ankesa të tilla.
Një kompani që ofron shërbime publike të energjisë, për çdo vit përgatit planin e operimit, në të cilin përfshihen shpenzimet dhe investimet e parapara për vitin pasues. Në bazë të këtij plani, kompania më pas te ZRrE-ja propozon të hyrat maksimale të nevojshme për përmbushje të planit të tyre.
Më pas ZRrE në bazë të investimeve që kompania ka planifikuar të kryejë, bën një vlerësim nëse ato projekte janë të arsyetuara dhe të nevojshme dhe më pas miraton të hyrat maksimale per ndërmarrjet e rregulluara.
Pasi të miraton të hyrat maksimale, ZRRE-ja i përcakton lartësinë e tarifave të cilat sigurojnë të hyrat e miratuara paraprakisht.
![Tarifat e miratuara nga ZRrE për Ngrohtoren e Gjakovës për sezonin 2023-2024.](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/12/141.png)
![Tarifat e miratuara nga ZRrE për Ngrohtoren e Gjakovës për sezonin 2024-2025.](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2024/12/131.png)