Ankesat e qytetarëve për gjendjen e rrugës Prishtinë-Podujevë

Qytetarët që jetojnë dhe kalojnë çdo ditë përgjatë rrugës Prishtinë-Podujevë, po ankohen për gjendjen e kësaj rruge dhe për vonesat e kolonat e gjata që kanë shkaktuar punimet për një kohë të gjatë.

KALLXO.com ka dalur në terren për të parë nga afër gjendjen e rrugës.

Nga bisedat me disa qytetarë të kësaj zone ata shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me zgjatjen e punimeve për vite dhe për dëmin që ju ka shkaktuar vonesa për përfundimin e kësaj rruge.

“Rruga është e mjerueshme, e vështirë shumë, s’po kalohet komunikacioni është i dendur dhe po humbet kohë, po dëmtohen veturat, neve po na merret koha deri sa po arrijmë në qytet”- thotë qytetari Skender Leci.

Lidhur më këto punime KALLXO.com, ka kontaktuar përmes telefonit zëvendësministrin e Infrastrukturës Hysen Durmishi, i cili ka njoftuar së punimet e rrugës Prishtinë-Podujevë, do të përfundojnë këtë vit, pra punimet pritet të kryhen brenda afatit që është i paraparë në kontratë.

“Gjatë këtij viti përfundon. Një takim e kemi pas javën e kaluar me mbikëqyrjen e jashtme, d.m.th pritet që brenda planit dinamik që e kanë, që afati më i gjatë që është 365 ditë pune të përfundojnë punimet”- ka deklaruar Durmishi.

Në rrugën Prishtinë-Podujevë punimet janë duke vazhduar.

“Mirë ka qenë t`u u punu, por kohën e fundit ka stagnu ku është qëllimi nuk e di. Sot paskan fillu me punu diçka, por unë po të them së që një muaj ditë nuk ka punuar askush, hiç nuk u pa asgjë”- thotë qytetari Leci.

Ndërsa, zëvendësministri Durmishi, ka njoftuar së janë duke u zhvilluar punimet dhe këto ditë pritet me fillu asfaltimi i shtresës së parë në një pjesë.

“Janë t’u u zhvillu punimet atje, d.m.th janë t`u u zhvillu në rregullimin e strukturave, mureve mbrojtës gjithë këto në përgatitjen e një pjese për me u asfaltu. Këtyre ditëve pritet me fillu veç asfaltimi i shtresës së parë i një pjese të madhe të rrugës”- thotë Durmishi.

Qytetari Alush Dragusha thotë së ka pasur një lokal të lëshuar më qira në këtë rrugë, por për shkak të punimeve qiramarrësi është detyruar ta mbyllë biznesin.

“Qe unë prej që kanë nis punimet e kam pas më qira njerin (qiramarrësi), e ka lëshu lokalin. Shumë jemi të dëmtuar por s’kemi çka bëjmë”- shprehet Dragusha.

Ndërsa qytetari Nexhmedin Gërvalla ka treguar për kohën e madhe që i merr për të kaluar me veturë një pjesë të shkurtë të kësaj rruge për shkak të gjendjes dhe punimeve që po vazhdojnë.

“Marum për çdo ditë t’u u end, prej Veternikut deri në autostradë të rrethi bëj 12 minuta, këtu bëjë 25-30 minuta prej ku e kanë shtru, prej Besie e këndej”- thotë Gërvalla.

Ministria e Infrastrukturës, ka dhënë  edhe një tjetër kontratë në vlerë prej 575 mijë e 972 euro, për rrugën Prishtinë – Podujevë më datën 11.06.2024.

Kontrata i është dhënë konzorciumit “Agbes Construksion; Arbotec; Geo Construction dhe Mineral”, me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë.

Më 08.05.2024 është intervistuar Hysen Durmishi si i dyshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë.