Foto: Freepik

Ankesat e qytetarëve lidhur me përdorimin e kamerave për vëzhgim, Agjencia për Privatësi kërkon të respektohen standardet

Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka bërë thirrje që të gjithë ata që vendosin të instalojnë kamera të vëzhgimit në objektet private t’i kenë parasysh kriteret për mbrojtjen e privatësisë dhe masat e sigurisë.

“Nëse vendosin kamera qytetarët janë të obliguar të vendosin shenja njoftuese për praninë e kamerave, të ruajnë regjistrimet në mënyrë të sigurtë duke i mbrojtur nga qasjet e pa autorizuara, si dhe regjistrimet t’i ruajnë për një periudhë të arsyeshme kohore jo më shumë se 30 ditë”– thuhet në komunikatën e datës 09.07.2024.

Agjenca shtetërore për privatësi më tej ka kërkuar që të gjithë qytetarët të cilët tashmë kanë vendosur sistemin e kamerave të sigurohen që të njëjtat të vëzhgojnë dhe regjistrojnë vetëm pronën e tyre dhe jo hapësirat publike ose pronën e fqinjëve.

AIP me këtë rast ka bërë të ditur se ka pranuar numër të konsiderueshëm të ankesave nga qytetarët për vëzhgimin me kamerë në shtëpi dhe banime kolektive jashtë kritereve të përcaktuara me ligj.

Ankesat e adresuara, sipas AIP-së, në disa raste kanë rezultuar me cenimin e privatësisë së qytetarëve pasi që të njëjtat kanë vëzhguar jashtë parametrit të pronës private duke përfshirë pronën private të huaj dhe hapësirat publike.