Ankesat e BIRN dhe Internews Kosova ndëshkuan me mbi 28 mijë euro partitë politike

28,700 euro është shuma e gjobave të shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas ankesave të dërguara nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN dhe Internews Kosova.

Sikurse çdo palë zgjedhje edhe në këto të fundit organizatat BIRN dhe Internews Kosovës kanë vëzhguar nga afër fushatën e partive politike dhe veprimet e tyre gjatë dhe pas fushatës.

Gjatë fushatës zgjedhore BIRN dhe Internews Kosova kanë gjetur se në gjashtë raste partitë politike kishin rënë në kundërshtim me rregullat zgjedhore. Pas këtyre gjashtë ankesave tre parti politike ishin ndëshkuar me 17,700 euro.

Ndërkaq gjatë heshtjes zgjedhore dy organizatat dërguan edhe gjashtë ankesa nga të cilat katër parti politike u ndëshkuan me 11,000 euro duke e dërguar kështu vlerën totale të ndëshkimeve në 28,700 euro.

Partitë politike që u ndëshkuan nga PZAP pas ankesave të BIRN dhe Internews Kosova janë Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ankesat e këtyre dy organizatave në zgjedhjet e vitit 2019 kishin thyer rekord pasi partitë politike ishin ndëshkuar me mbi 150 mijë euro.

Mbi 150 mijë euro gjoba nga PZAP, prijnë PDK e LDK