Ankesa për platformën “Superpuna”, nuk po ju dalin pagat
Disa të rinj nga mosha 18-29 vjeç, po ankohen për platformën “Superpuna”, pasi që nuk po i marrin pagat nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).
Vonesat me muaj për t’i marrë pagat prej 264 euro në kuadër të platformës “Superpuna” e krijuar nga Qeveria e Kosovës janë ankesat më të shumta nga qytetarët që janë punësuar përmes kësaj mundësie.
Qytetarja me inicialet Q. H., ka raportuar se kontrata i ka përfunduar në muajin prill, por në platformën “Superpuna” ende figuron si e punësuar dhe e njëjta nuk e ka marrë pagën e muajit prill – 2024.
“Unë jam punësuar në muajin nëntor, që do të thotë në muajin prill ka skaduar kontrata, unë në “Superpuna” figuroj ende e punësuar. Kam biseduar me biznesin e më kanë thënë që ka vonesë nga Ministria dhe nuk mundemi me ta jep pagën. Edhe e kam pas si obligim me qëndru pa e shkëput kontratën në platformë, shkaku që me u lëshu paga edhe e këtij muajit (prill) qe hala s’ka dalë. Unë kam dërguar një email tek “Superpuna”, por nuk kam marrë përgjigje” – thuhet në raportimin e qytetares më iniciale Q. H.
Ndërkaq, qytetari me inicialet A. N., thotë se në biznesin e tij ka regjistruar një punëtor përmes platformës “Superpuna” dhe as pas 5 muajve që kanë kaluar nga koha e regjistrimit nuk i kanë dalur mjetet nga Ministria e Financave.
“E kam regjistruar një punëtor përmes “Superpunës”, po “Superpuna” hala nuk ma ka financuar rrogën e punëtorit (u bën tani 5 muaj). Telefonin s’po ma hapin, email s’po më kthejnë, zyre nuk kanë! Punëtori është i regjistruar në “Superpunë” gjithashtu në ATK, kontratën ja kam bërë sipas formatit të kërkuar në “Superpunë”, edhe çdo muaj kam qenë i rregullt me rrogë edhe me kontribute pensionale ndaj ATK-së”- vijon ankesa e qytetarit me inicialet A. N.
Përveç problemit me pagesa, qytetarja Shehide Millaku, ka njoftuar edhe për një problem në sistemin “Superpuna”. Ajo ka thënë se nuk po mund të regjistrohet pasi që sistemi e identifikon si të regjistruar edhe pse deklaron së nuk ka qenë e punësuar më parë.
E njëjta thotë së ka dërguar pyetje në emailin e “Superpunës”, por nuk ka pranuar asnjë përgjigje dhe si rezultat i kësaj po i pamundësohet të përfitoj përmes kësaj skeme.
“Te faqja “Superpuna” kam probleme edhe unë pasi që figuroj si e punësuar edhe pse për faktin që unë nuk jam e punësuar. Kam telefonuar në numrin e tyre, kam dërguar dhe email, por nuk kam marr asnjë përgjigje nga ana e tyre”- ka njoftuar qytetarja Shehide Millaku.
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami ka thënë së nuk është ftuar për raportim ministri i Financave, Hekuran Murati pasi që nuk ka pasur ankesa në këtë drejtim dhe në fushëveprimtarinë e komisionit është shqyrtimi i raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
“Ministrin lidhur me këtë çështje nuk e kemi thirrur për raportim, Zyra Kombëtare e Auditimit ish dashtë me u marrë me këtë, në cilësinë e kryetares dhe komisionit për mbikëqyrje për financa publike në fushëveprimtari të komisionit e kemi shqyrtimin e raportit t zyrës kombëtarë së auditimit, kështu që për vitin 2023 sapo ka filluar publikimi dhe shumë pak institucione kemi trajtuar”- ka njoftuar Hykmete Bajrami.
Deputetja Bajrami lidhur me problemet e këtyre qytetarëve tha se qeveria duhet të mbahet përgjegjëse për premtime të cila i ka dhënë dhe këto vende të punës duhet të jenë të qëndrueshme edhe pas 6 muajve.
“Qeveria duhet të mbahet përgjegjëse për premtimet që i ka dhënë për një pako të tillë, ndërkohë çka qeveria duhet me i mbajt përgjegjës bizneset është që këto vende të punës të mbështetura dhe subvencionuara nga qeveria për gjashtë muaj duhet të jenë vende të punës të qëndrueshme, unë nuk kam dëgjuar që qeveria ka mekanizma për kontroll dhe jo vetëm për këtë pako”- ka deklaruar deputetja Bajrami.
Ndërsa nga Zyra Kombëtare e Auditimit thonë se nuk ka pasur auditim specifikisht për këtë platformë, ndërsa për të ardhmen mbetet të shihet nëse do të përfshihet në Planin Vjetor të Auditimit.
“Ju njoftojmë se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në kuadër të sezonit auditues 2023/2024 nuk ka kryer ndonjë auditim për Platformën ‘Superpuna’. Sa i përket planeve për të ardhmen, mbetet të shihet nëse kjo çështje do të mund të përfshihet në Planin Vjetor të Auditimit 2024/2025 varësisht nga planifikimi i auditimit dhe përcaktimi i objektivave nga Auditori i Përgjithshëm”- thuhet në përgjigjen e ZKA-së.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së Albana Bytyqi e cila është anëtare e komisionit për mbikëqyrjen e financave publike ka deklaruar se nuk është ftuar ministri, Hekuran Murati për raportim para komisionit dhe se nuk është e informuar lidhur me këtë.
“Nuk jam e informuar se çka po ndodhë, por për momentin nuk kam një përgjigje konkrete, ministrin nuk e kemi ftuar për raportim- deklaroi deputetja Bytyqi.
Lidhur më këtë më 26.07.2024 Kallxo.com ka dërguar pyetje Ministrisë së Financave, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Kallxo.com ka bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) në mungesë të qasjes në informacion nga Ministria e Financave, pas ankesës kemi pranuar një përgjigje që MFPT-ja ka njoftuar AIP-në, së Agjencia për Punësim në vartësi të MFPT-së është institucioni që duhet të përgjigjet për këto pyetje lidhur më platformën “Superpuna”.
Pyetjet më pas i janë dërguar edhe Agjencisë së Punësimit më 13.08.2024, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi pranuar përgjigje.