Anglia sërish në izolim të plotë për shkak të coronavirusit

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, shpalli të hënën një izolim kombëtar për Anglinë deri të paktën në mes të shkurtit, për të luftuar një variant të ri të coronavirusit, i cili sipas autoriteteve, është më ngjitës se varianti i parë.

Johnson tha se njerëzit duhet të qëndrojnë përsëri në shtëpi, njëjtë sikurse u urdhëruan në valën e parë të pandemisë në muajin mars, por kësaj here për shkak të variantit të ri të coronavirusit i cili po përhapet në një mënyrë “zhgënjyese dhe alarmante”.

“Derisa po ju flas sonte, spitalet tona janë nën presion më të madh sesa në çdo kohë, që nga fillimi i pandemisë”, tha ai.

Sipas rregullave të reja, shkollat dhe kolegjet fillore dhe të mesme do të mbyllen. Studentët e universitetit nuk do të kthehen në objekte të paktën deri në mes të shkurtit.

Të gjitha dyqanet jo-thelbësore dhe shërbimet e kujdesit personal si floktarët do të mbyllen, dhe restorantet mund të ofrojnë vetëm shërbime të marrjes së ushqimit me vete.

Të hënën, në spitalet e Anglisë kishte 26.626 pacientë me COVID-19, një rritje prej më shumë se 30% nga një javë më parë. Kjo është 40% mbi nivelin më të lartë të valës së parë në pranverë.

Njoftimet vijnë pasi autoritetet shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar filluan të përdorin vaksinën e Oxford-AstraZeneca në të gjithë vendin, duke rritur shpresat se jeta mund të fillojë të kthehet në normalitet në pranverë.

Britania ka siguruar të drejtat për 100 milionë doza të vaksinës Oxford-AstraZeneca, e cila është më e lirë dhe më e lehtë për t’u përdorur se disa nga rivalët e saj. Në veçanti, nuk kërkon depo super të ftohtë si për vaksinën e Pfizer/BioNtech.

Britania e Madhe lëshoi alarmin në fillim të muajit dhjetor të vitit 2020 mbi variantin e ri të coronavirusit, për të cilin autoritetet thonë se është dukshëm më ngjitës. Shqetësimet lidhur me këtë variant kanë nxitur shumë vende të ndërpresin udhëtimin nga dhe për në Britani të Madhe. Që atëherë, variant i ri është zbuluar edhe në disa vende tjera./REL