Anglezes i sekuestrohen në Shqipëri afro 22 mijë funta që nuk i deklaroi në kufi

Policia Kufitare e Shqipërisë ia ka konfiskuar një shtetaseje britanike 21 mijë e 900 funta, të cilat ajo nuk i kishte deklaruar në kufi gjatë hyrjes në territorin shqiptar.

Siç njofton Policia e Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bashkëpunim edhe me punonjësit e Drejtorisë së Antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shtetasen angleze J.G., 35-vjeçe.

Gjatë kontrollit, kësaj shtetaseje iu gjetën në çantë 21.900 funta të padeklaruara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve shtetasja J.G. u procedua penalisht për veprën penale – mosdeklarimi i të hollave apo sendeve me vlerë në kufi.