"Angazhimet e përbashkëta për sigurinë në Kosovë" - Osmani takon zyrtarin e lartë të NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Tom Goffus.

“Sot në NATO, në diskutime me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Tom Goffus, për punën dhe angazhimet tona të përbashkëta për paqe e siguri në Kosovë” – ka shkruar presidentja Osmani, më 05.12.2024.

E para e Kosovës është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Bruksel.

Gjatë kësaj vizite, ajo është takuar edhe me presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.

Në takimin me këtë të fundit, presidentja Osmani “rikonfirmoi angazhimin e Kosovës për një partneritet të ngushtë me Parlamentin Evropian, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për përparimin e integrimit të Kosovës në BE”.

“Gjatë bisedës, Presidentja Osmani e informoi Presidenten Metsola për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës. Ajo nënvizoi lidhjet e qarta të Serbisë me këto sulme, duke përfshirë edhe aktin e agresionit të vitit të kaluar në Banjskë, për të cilin ende nuk ka llogaridhënie.” – ka njoftuar Zyra e Presidencës.

Osmani, siç njoftohet përmes komunikatës, ka theksuar se është thelbësore, që autorët e këtyre krimeve të mbajnë përgjegjësi e të përballen me drejtësinë.

 

Këto takime po ndodhin disa ditë pas një shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, në Veri të Kosovës.

Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen, e ka thënë se do të hetojë këtë rast.

Shpërthimi, që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”.

Bashkimi Europian e ka cilësuar Sulmin e 29 Nëntorit në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.