Anëtarja e NISMA-s punësohet në zyrën e pensioneve në Prizren

Pranvera Dakaj, anëtare e partisë Nisma Socialdemokrate është punësuar si zyrtare e pensioneve në Zyrën e Pensioneve në komunën e Prizrenit.

Dakaj në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ishte kandidate për asambleiste në Prizren,  nga rradhët e Nismas, ku kishte fituar vetëm 115 vota, duke mos arritur ta sigurojë ulësen.

Në konkursin e shpallur me datë 24 korrik nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale(MPMS),që deri më tani e ka udhëhequr Skender Reçica i NISMA-s, kandidatja Dakaj është zgjedhur fituese me 366 pikë në total.

Rezultatet e këtij konkursi janë shpallur me 25 shtator.

 

E kontaktuar nga KALLXO.com, Dakaj, e ka mohuar se partia ku ajo bën pjesë, ka ndikuar që ta fitojë këtë pozitë.

“Jo nuk është aspak e vërtetë, edhe pse ka pasur spekulime rreth kësaj, por absolut, i kam plotësuar të gjitha kushtet që kanë qenë aty, kam aplikuar dhe nuk ka pasur asgjë të bëj partia këtu”, ka thënë Dakaj në përgjigjen e saj.

Dakaj ka thënë se edhe pse në konkurs nuk është kërkuar përvoja e punës, sipas saj, ajo ka përvojë pune në një organizatë joqeveritare si psikologe dhe në një ndërmarrje private  si administratore. Ajo ka thënë se është e diplomuar në psikologji.

Në anën tjetër, Musa Demiri, zyrtar për media në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ka thënë se Dakaj është punësuar në bazë të ligjit, duke mos e komentuar lidhjet e saja politike.

“Komisioni i Rekrutimit, në bazë të Ligjit për Shërbimin Civilt të Kosovës dhe të Rregullores nr.02/2010 për Procedurat e Rekrutimit Civil, ka zbatuar procedurat e rekrutimit dhe është përzgjedhë kandidatja e përmendur”, ka thënë shkurtimisht Demiri në përgjigjen e tij me shkrim.

Sot gjatë ditës, Bashkimi Evropian përmes një komunikate ka reaguar ndaj partive politike dhe institucioneve të vendit, ku kanë kërkuar që të ndërpresin konkurset për shërbyes civil, deri në formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve.

‘Aksham pazari’ me punësime para zgjedhjeve në Ministrinë e Mbrojtjes

 

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!