Foto: Facebook/Sibel Halimi

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së kritikon krijimin e partive nga Kosova në Shqipëri

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se përpjekja që me patjetër të krijohen formacione të tipit të partive politike në Shqipëri nga Kosova, sidomos nga partia e cila ka fituar në mënyrë absolute zgjedhjet e fundit, shpërfaq deficit të ideve të qeverisjes së mirë.

“Veprime të tilla, madje mund të bëhen pengesë në bashkëpunimin eventual në mes të dy vendeve pas përfundimit të fushatës elektorale, cilado parti që del fituese në Shqipëri”, ka shkruar Halimi në Facebook.

Sipas Halimit, në këtë stad të zhvillimit në të cilin gjenden Kosova dhe Shqipëria, bashkëpunimi do të duhej të zhvillohej në nivel projektesh inovative që rigjenerojnë ide emancipuese e progresive për dy vendet.

“Në të kundërtën, partia në pushtet do të duhej tani ta kishte një program të qartë të ideve të bashkëpunimit me specifikimin e prioriteteve për fushat relevante si shëndetësia, arsimi e kultura”, ka përfunduar Halimi.

Në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, tre anëtarë të Vetëvendosjes në Shqipëri do të kandidojnë si kandidatë të pavarur në rrethe të ndryshme. Të tre këta kandidatë kanë marrë përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë dhe të vetë kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti, i cili ditëve të fundit ka bërë fushatë për ta në rrjete sociale.

Sibel Halimi është bërë pjesë e LDK-së pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, me ftesë të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku.