Qendra e Numërimit dhe Rezultateve. Foto: KQZ

Anëtari i VV-së akuzon vëzhguesit e Nismas për presione gjatë rinumërimit dhe ngacmime seksuale

Shtabi zgjedhor i Nisma-s Socialdemokrate ka deklaruar sot se anëtarët e VV-së në KQZ, Nazlie Bala dhe Adnan Rrustemi po i kërcënojnë dhe shantazhojnë vëzhguesit e Nismas në QNR.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar aktivisti VV-së Alban Krasniqi. Sipas Krasniqit i cili është edhe bashkëshort i deputetes Albulena Haxhiu, janë pikërisht vëzhguesit e Nismas ata që bëjnë presione dhe kërkojnë pavlefshmëri të votave.

“Tani kanë sjellë në QNR llumin e tyre gjoja si vëzhgues me qëllim krijimin e tensioneve e pse jo edhe dëmtimin e kutive. Në vazhdimësi bëjnë presion mbi stafin, krijojnë insinuata, ngacmojnë seksualisht vëzhguese, kërkojnë pavlefshmëri votash” ka shkruar ai në facebook.

Tutje Krasniqi ka thënë që KQZ “duhet t’u tregojë vendin këtyre matrapazëve sepse aty është QNR dhe jo Han i Fatmir Limajt”.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë anëtarët e LVV-së në KQZ, Adnan Rrustemin si dhe Nazlie Balan për akuzat e ngritura nga Nisma në drejtim të tyre, mirëpo të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

 

Nisma akuzon anëtarët e LVV-së për ndërhyrje në procesin e rinumërimit