Anëtari i ri i KShC i kundërpërgjigjet Eliza Hoxhës

Anëtari i sapozgjedhur i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Seb Bytyçi, i ka reaguar deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, e cila në seancë ka thënë sot se Bytyçi, është i angazhuar si profesor në dy institucione të arsimit të lartë.

Bytyçi përmes një postimi në Facebook tha se do ta padisë Hoxhën për shpifje, nëse ajo nuk tërhiqet nga këto deklarata publikisht.

“Unë në momentin e kandidimit jam i angazhuar vetëm në Riinvest! Përsëritja e të pavërtetave me gjithë faktin se ia kam sqaruar të vërtetën përbën shpifje, për të cilën do ta padisë deputeten, nëse znj. Hoxha nuk i tërheq ato që i ka thëne publikisht”, tha Bytyçi.

Ky është postimi i plotë i tij:

Reagim

Fatkeqësisht, gjatë diskutimit për KSHC-në në Kuvend, deputetja Eliza Hoxha i tha disa gjëra rreth kandidaturës sime që jane të pavërteta. Kjo ndodhi me gjithë faktin se e vërteta reflektohet në CV-në time, si dhe me gjithë faktin se unë ia kam sqaruar të vërtetën zonjës Hoxha përmes emailit si dhe në një emision televiziv. Unë në momentin e kandidimit jam i angazhuar vetëm në Riinvest! Përsëritja e të pavërtetave me gjithë faktin se ia kam sqaruar të vërtetën përbën shpifje, për të cilën do ta padisë deputeten, nëse znj. Hoxha nuk i tërheq ato që i ka thëne publikisht.

Deputetja në fjalim tha se e ka kontaktuar Universitetin e Winchesterit për të marrë konfirmim se unë jam i angazhuar aty, por nuk tregoi se a ka marrë konfirmim apo jo? Nuk mund të ketë marrë konfirmim pozitiv që unë jam i punësuar aty, sepse thjeshtë nuk është e vërtetë. Kërkoj nga znj. Hoxha ta publikojë përgjigjen e marrë nga Universiteti i Winchesterit.

Tjetra e pavërtetë është që gjoja unë e paskam genjyer KSHC-në me herët kur jam angazhuar në Riinvest. Kjo thjeshtë nuk është e vërtete sepse unë edhe kur kam qenë i angazhuar në Winchester, nuk kam qenë me orar të plotë 100% (por fillimisht me 50% e pastaj me 80%). Po të kishte qenë ashtu unë nuk do të mund të punësohesha fare në programin e Riinvestit.

Duke u nisur nga fakti se të vërtetën ia kam shpjeguar deputetes në email, si dhe në një emision televiziv, më duhet të konkludoj se kemi të bëjmë me politizim të panevojshëm të kandidaturës sime, dhe me sulm mbi integritetin tim. Kjo mbetet e pakuptimtë për mua, dhe ndjehem shumë keq që kjo njollosje po bëhet për poena politike, por sidoqoftë, une e ndjeva të nevojshme që të sqarohem për opinionin dhe miqtë e mi për të dëshmuar se nuk ka asnjë parregullsi dhe asnjë shkelje në kandidaturën time.

(Për gjitha këto që i thashë jam në gjendje të jap dëshmi konkrete).

Eliza Hoxha pretendon se është kërcënuar nga një anëtar i sapozgjedhur i KShC-së

Para pak qastesh, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në Kuvendin e Kosovës bëri të ditur se është kërcënuar nga njëri prej anëtarëve të sapozgjedhur të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, por që nuk përmendi emra.

Deputetja Eliza Hoxha ka qenë kundër që anëtarët vendor të emërohen në këto pozita.

Kuvendi i Kosovës me vota 63 për, 9 vota kundër dhe asnjë abstenim ka ratifikuar 7 anëtarët e rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).

Anëtarët e miratuar nga Kuvendi janë: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Krenare Pireva-Nuçi, Seb Bytyçi, Alison Felce, Cassie Barnhardt, Werner Stueber.

Anëtarët e zgjedhur kanë mandat pesëvjeçar.