Mentor Isufi- Foto: PSD/Facebook

Anëtari i PSD-së parti që drejtohej nga Shpend Ahmeti, emërohet U.D. kryeshef në “Trafikun Urban”

Mentor Isufi, deri para rreth një viti, mund të shihej nëpër takimet e Parisë Socialdemokrate, edhe duke mbajtur fjalime e zhvilluar aktivitete politike. Ai nga 26 prilli i këtij viti, ka marrë një pozitë të re brenda Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban”, në të cilën aksionar kryesor është Komuna e Prishtinës e kryetarit Shpend Ahmeti, i cili dikur edhe e drejtonte PSD-në.

Bordi i kësaj ndërmarrjeje, i cili u zgjedh pa një konkurs publik nga anëtarët e komisionit të aksionarit, vendosi që Isufin ta emëroj ushtrues detyrë të kryeshefit, ditën kur shkarkoi Lulzim Rexhepajn nga kjo pozitë.

Në një bisedë për KALLXO.com, Mentor Isufi e ka pranuar se ka qenë pjesë e PSD-së, por ai ka thënë se më nuk shkon në mbledhje e në takimet e partisë.

“Kam qenë drejtor i Operativës, më 15 shtator bëhen tre vite. Që një vit e më tepër nuk jam anëtar i asnjë partie”, thotë ai.

Megjithatë, ai e pranon se largimin nga PSD nuk e ka bërë publik e as nuk ka ofruar dorëheqje para organeve të PSD-së.

“Dorëheqje nuk kam nevojë me dhënë në parti, po nuk marrë pjesë në takime as kurrgjë hiç, e kam prioritet vetëm punën”, ka deklaruar Isufi.

Ai e ka mohuar të jetë favorizuar në emërimin e tij në krye të “Trafikut Urban” ndërsa ka thënë se nuk është më i afërt me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.

“Kam qenë i afërt kur kam qenë, kurse tash nuk jam i afërt, jam vetëm me kolegët e punës. Nuk ka pas kurrfarë favorizimi, apsulutisht, bile zhurmë bëj nëse dikush tenton me më imponu diçka, se me karakter jam ashtu, nuk lejoj imponime”, tha ai.

Në anën tjetër, kryesuesi i bordit, Florent Maliqi ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni që Mentor Isufi të ketë qenë pjesë e ndonjë partie politike.

Ai ka thënë se nuk ka pas presion për emërimin e Isufit U.D. kryeshef.

“Ne personalisht nuk e kemi njohur asnjë person aty brenda, por jemi bazuar në punët që bëhen dhe drejtori i operimeve, Mentor Isufi, ka udhëhequr mbi 70 për qind të kompanisë. Ne si Bord kemi menduar se i njeh problematikat e të gjitha ato që kanë ndodh në Trafikun Urban. Që ka qenë në ndonjë parti politike, nuk jam në njohuri se nuk e kam njohur as më herët”, tha ai.

Mentor Isufi- Foto: PSD/Facebook

“Nuk ka pas as ndikime as sugjerime nga askush, ky është vetëm ushtrues detyre deri në zgjedhjen e kryeshefit të ri”, shtoi Maliqi.

Gjatë muajit të kaluar, KALLXO.com transmetoi një emision hulumtues ku shfaqi gjetjet për keqpërdorime brenda kësaj ndërmarrjeje publike.

Në emision shfaqen faktet sesi një veturë e cila ishte blerë për nevoja të kryeshefit ekzekutiv të NP-së, ishte në pronësi të ish-kryesuesit të bordit, Ruhan Beha.

I njëjti, kishte përfunduar prapa grilave pasi kishte bërë presion ndaj ish-kryshefit, Lulzim Rexhepaj për punësimin e gruas.

Gjithashtu, në këtë ndërmarrje publike kishin ndodhur punësime pa kritere ligjore e në kohë zgjedhjesh.

Krejt në fund, hulumtimi shpjegon rastin sesi anëtarët e komisionit të aksionarit kishin emëruar një Bord të ndërmarrjes me një mandat të rregullt pa një konkurs publik, ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi.

Pazaret në Trafikun Urban – LIVE

www.kallxo.com