Fatmir Hasani

Anëtari i LVV-së: Agim Bahtiri do ta lërë Vetëvendosjen njëjtë si AKR-në

Fatmir Hasani, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje nga Mitrovica sot ka zyrtarizuar marrëveshjen me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Armend Agollin.

“Marrëveshja është që së bashku të udhëheqim komunën, unë si kryetar dhe Fatmiri si nënkryetar. Kjo është marrëveshja në pika të shkurta që po e bëjmë publike, ndërkaq për pikat e tjera, shumë shpejt do t’i bëjmë publike”, tha Armend Agolli gjatë konferencës.

Ndërkaq, Hasani pati kritika për kandidatin për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtirin nga partia që ai vjen.

Ai tha se Bahtiri ka keqqeverisur Mitrovicën gjatë mandatit si kryetar, ndërsa ka thënë se ai do të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje njëjt siç është larguar nga AKR-ja.

“Bahtiri do ta lë kryeministrin Kurti njëjtë siç e ka lënë Behgjet Pacollin. Ai ka kalu në Vetvëndosje vetëm pasi e ka parë që Lëvizja po ka rritje”, tha ai.

Fatmir Hasani ishte kundër kandidati i Agim Bahtirit brenda LVV-së për të qenë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës.

Hasani nuk kishte arritur të siguroj vota të mjaftueshme nga delegatët e partisë, ndërsa për këtë fajëson Agim Bahtirin.

Zgjedhjet lokale priten të mbahen më 17 tetor.