Çezme - Foto: KALLXO.com
Anëtari i LVV në Deçan: Helmimi i qytetarëve, institucionet nuk reaguan me kohë
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Deçan, Faton Selmanaj, ka akuzuar për neglizhencë përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore për situatën e krijuar në komunën e Deçanit pas helmimit të mbi 1,500 qytetarëve që dyshohet se ka ndodhur nga konsumimi i ujit.
Selmanaj ka shkruar në Facebook se shqetësimet e banorëve të disa fshatrave të Deçanit kanë qenë që nga fillimi i qershorit të këtij viti.
Ai ka shtuar se për këto raste ka provuar të njoftojë institucionet përgjegjegjëse që nga ajo kohë, por sipas tij nuk janë lajmëruar.
“Muajin e kaluar, datë 3 Qershor, jam kontaktuar nga disa shokë e aktivist, nga disa fshtra të Komunes së Deçanit: Broliq, Dubovik, Prapaqan, Kryshec(Komuna e Pejës) etj, por që furnizohet me uj të pijes nga Komuna e Deçanit. Shqetësimi i tyre ka qenë i ngjashëm, helmimi nga uji i pijes, poashtu simtomat e banorëve kan qenë të ngjashme, me këto të helmimeve të tashme. Kanë kërkuar ndihmë. Fillimisht jam përpjekur të kontaktoj Institutin e Shëndetësisë Publike, por ka qenë e pamundur, nuk është lajmëruar askush”, ka shkruar ai mes tjerash në Facebook.
Sot drejtori i Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha, ka bërë të ditur se numri i pacientëve që dyshohet se janë helmuar nga uji, ka arritur në 1,500.
“Numri i pacientëve deri më tani mund të them se është diku 1500 prej ditës që ka fillu” ka thënë Berisha të martën gjatë një konference për media. Sipas Berishës, 99 për qind e qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë, kanë marrë shërbimet adekuate në këtë qendër mjekësore.
Kurse, Naser Ramadani, Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) ka thënë se deri më tani rezultatet laboratorike nuk thonë se ka helmim uji.
Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Faton Selmanaj në Facebook: