Anëtari i LDK-së përzgjidhet sekretar në gjimnaz, ndonëse sipas Prokurorisë ndaj tij zhvillohet procedurë penale

Shkodran Hajzeraj pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës është përzgjedhur sekretar në gjimnazin “Haxhi Zeka” në Istog, ndonëse ndaj tij, sipas Prokurorisë së Pejës, është duke u zhvilluar procedurë penale nën dyshimin e konsumimit të veprës penale “Organizimi i skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm”.

“Për personin në fjalë, është duke u zhvilluar procedurë penale, nën dyshimin se i njëjtit së bashku me disa persona të tjerë, kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Hajzeraj i kontaktuar nga KALLXO.com, për të folur rreth kësaj çështjeje, nuk ka pranuar të deklarohet.

Të kundërtën e organit ndjekës, e ka thënë për KALLXO.com, drejtori i arsimit në Istog, Hajrush Shoshi.

Ai tha se sipas certifikatës së lëshuar për Hajzerajn nga Gjykata Themelore në Pejë dega në Istog, del se ndaj tij nuk është duke u zhvilluar asnjë procedurë penale dhe nuk është i dënuar me aktgjykim të formës se prerë.

“Sigurisht komisioni e ka këqyr atë vërtetim. Nëse e ka pas vërtetimin që është nën hetime, nuk do ish ftuar as në intervistë”, tha Shoshi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me gjykatën e Pejës në lidhje me rastin e Shkodran Hajzerajt.

Sipas zëdhënëses së Gjykatës, Tringa Zhuti gjatë vitit 2020, gjykata e Pejës ka lëshuar një urdhër për sekuestrim ndaj Hajzerajt nën dyshimet për vepër penale.

“Gjatë vitit 2020, Gjykata Themelore në Pejë ka lëshuar një urdhëresë për sekuestrim të sendeve ndaj personit në fjalë”, ka thënë Zhuti.

Ndërsa sikurse Shoshi, edhe kryetarja e Komisionit, Zize Bujupaj tha se ndaj Hajzerajt nuk zhvillohet asnjë procedurë ndaj tij.

“Vërtetimin nga gjykata e ka shumë të mirë dhe e ka që nuk është nën hetime dhe që nuk është zhvilluar asnjë procedurë ndaj tij”, tha Bujupaj.

Shkodran Hajzeraj është djali i Bedri Hajzerajt, që ishte zyrtar në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe të njëjtën kohë edhe anëtar kryesie dhe kryetar nëndege në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Kryetari i Istogut, Haki Rugova për KALLXO.com pranoi që Shkodran Hajzeraj është pjesë e LDK-së mirëpo që nuk ka ndonjë pozitë brenda partisë por vetëm një anëtar.

Rreth ecurisë së procesit në të cilin Shkodran Hajzeraj u punësua si sekretar, pati reagime nga konkurrentet e tjerë.

Blerim Ukaj po ankohet se në këtë konkurs atij i është bërë padrejtësi dhe se sipas tij që nga fillimi ishte ditur se në atë pozitë do të pranohej Hajzeraj.

“Qysh prej fillimit të shpalljes së konkursit ka qenë pretendimi se ka mu pranu kandidati Shkodran Hajzeraj”, tha Ukaj.

Ai tha se anëtarët e komisionit nuk kanë qenë prezent gjatë testimit dhe nuk kanë qenë korrekt në vlerësim.

“Pas intervistës e kam pa që brenda testit tim, pyetjet e sakta janë vlerësuar si të pasakta dhe ato pyetje i kam argumentuar në prezencë të Komisionit”, shtoi ai.

Ukaj për KALLXO.com tha se do të bëjë kallëzim penal nëse Komisioni nuk ndërmerr veprime korrigjimi të procesit të punësimit.