Anëtari i Këshillit të Cilësisë thotë se dikush u premtoi akreditim kolegjeve private

Dukagjin Zeka, anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë po pretendon se akreditimi i programeve të dy kolegjeve private, “Rezonanca” dhe “Heimerer” në mbledhjen e fundit të këtij institucioni ishte premtuar nga dikush, prandaj edhe kolegjet kanë pranuar studentë paraprakisht.

Një studente nga kolegji “Rezonanca” ka rrëfyer për emisionin “Jeta në Kosovë” se pagoi për regjistrimin në njërin program të studimeve pasi nga kolegji i ishte thënë se kanë akreditim.

Lidhur me këtë rrëfim reagoi edhe anëtari i KShC-së, Zeka.

“Unë se kam pasur informacionin e studentes dhe është e dhimbshme sepse ata kanë regjistruar studentë, më datën 11 kanë mbajtur provim pranues, më 21 tetor i kanë pasur regjistrimet e semestrave ndërsa me 24 tetor u shkon eksperti”, thotë Zeka.

“Dikush brenda Agjencionit (Agjencionit së Akreditimit të Kosovës), duke përfshirë drejtorin dhe administratën i ka premtuar këtyre institucioneve se do të marrin akreditim”, ka theksuar anëtari i KShC-së.

Ai ka thënë se ka reaguar ndaj procesit të akreditimit ndaj këtyre kolegjeve që nga shtatori i vitit të kaluar.

“Në këtë rast, studentët janë ra në lajthitje, sepse e kanë pasur një tabelë në ueb faqe të Agjencisë ku kanë qenë të prezantuara të gjitha programet e akredituara”, thotë Zeka.

Zeka e ka lëshuar mbledhjen e fundit të KShC-së e cila është mbajtur më 16 dhe 17 janar të këtij viti së bashku me dy anëtarët e tjerë, Arta Jakupi dhe Rozafa Koliqi.

Hulumtimin lidhur me akreditim kontravers të programeve të kolegjeve private mund ta ndiqni të plotë në linkun e mëposhtëm: