Anëtari i Bordit të RTK-së numëron arsyet se pse nuk do të paguante RTK-në

Driton Hetemi anëtar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës ka theksuar se fusha e marketingut është shumë e rëndësishme, ndërkaq në këtë sektor tha se janë duke i gjeneruar më pak se një milion euro në vit.

Ai e ka përmendur buxhetin shtesë në RTK duke theksuar se nuk janë duke kërkuar buxhet shtesë pambarimisht, por se po kërkojnë ndryshimin e ligjit të RTK-së.

“Sa i përket planit ne nuk jemi duke kërkuar buxhet shtesë pambarimisht. Ne vetëm jemi duke e kërkuar tranzicionin e vitit 2023, sepse në propozimin për financimin e RTK-së e kemi të gatshëm”- tha Hetemi.

Hetemi tregoi se së shpejti propozimin do ta dërgojnë në komision në mënyrë që të diskutojnë për alternativat e financimit të RTK-së të cilat do të duhej të futeshin në ligjin e ri.

“Çështja e financimit të RTK-së me u zgjidh prej 1 janar 2024 normalisht kjo varet nga ligji për RTK-në, përkrahja e Kuvendit me ndërruar këtë ligj. Nëse pajtoheni ne prej 1 janar 2024 nuk kemi më nevojë për buxhet publik”- shtoi Hetemi.

Hetemi tha se aktualisht nuk do të paguante për RTK-në, duke përmendur se nuk ka programe edukative, kulturore, produksione të jashtme, etj, dhe se duhen investime.

“Kërkesa jonë është m`u përgatit për këtë ditë me rrit shikueshmërinë, besueshmërinë, kualitetin, programin në mënyrë që çfarë do vendimi që Kuvendi e merr qytetari m`u ndje komod me thënë në rregull që po e paguaj RTK-në sepse ka kualitet. Aktualisht unë nuk kisha pagu për RTK-në, se nuk ka program edukativ të mirë, kulturor, produksion të jashtëm argëtues, ka vetëm program informativ i cili po përmirësohet mirëpo nuk ka diçka tjetër. Duhen investime”- shtoi Hetemi.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar raportin financiar të RTK-së.