Anëtari i bordit të BQK-së: Nuk më befasojnë gënjeshtrat e Sokol Havollit, është në siklet nga gjetjet tona - VIDEO

Zëvendës Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli në intervistën e tij përballë Jeta Xharrës në #KallxoPernime ka deklaruar se Bashkim Nurboja anëtar jo-ekzekutiv i bordit të BQK-së, po i bën presione për t`u dorëhequr.

“Në fakt kjo ka qenë që nga fillimi i funksionalizimit të bordit. Unë pak u pata befasu që dorën në zemër ti mundesh mos me u pajtu por rregullimet që kanë ndodhur në industrinë financiare në Kosovë kanë qenë të paimagjinueshme për shumë njerëz dhe besimi im ka qenë që çdo institucion do ta vlerësonte punën pozitive”, deklaroi ai.

“Bordi tashmë është kompletuar dhe një anëtar i bordit, Bashkim Nurboja, dhe kërkesa e tij ka qenë që përmes disa njerëzve me bind Sokolin me dhanë dorëheqje, se duhet me shku”, sqaron Havolli.

“Duhet me shku Sokoli, nëse nuk shkon duhet me gjet diçka, kjo për mua është presion”, pretendon Havolli se është thënë nga ana e Nurbojës.

Ky i fundit është kontaktuar nga ekipi i KALLXO.com në lidhje me pretendimet e Havollit.

“Nuk më befasojnë gënjeshtrat e Sokol Havollit, i cili edhe në mbledhjen e bordit të muajit shkurt 2022 ka gënjyer bordin e BQK-ës. Sikleti i z. Havolli është te të gjeturat që po i shohim për mosveprimet e ekzekutivit ndaj disa kompanive të sigurimeve të cilat janë favorizuar me vite. Avancimet e pabaza të disa njerëzve dhe keqtrajtimin e punëtorëve të brendshëm të BQK-ës, të cilët nëse nuk iu shkojnë përshtati ekzekutivit menjëherë i zhvendosin në ndërtesën aneks të BQK-ës si formë ndëshkimi, për shkak se kushtet e punës në këtë aneks objekt cilësohen të dobëta”, thotë Nurboja në një përgjigje me shkrim të dhënë për KALLXO.com.

Ai shton se përmes platformës KALLXO.com ka shikuar edhe raportimin e Guvernatorit të BQK-ës para Komisionit parlamentar.

“Në këtë raportim, një nga deputetët e pyet Guvernatorin për mandatin e kontestuar të zëvendës guvernatorit Sokol Havolli, se si nuk është dashtë të zgjedhet me mandat për 5 vite por për mandatin e mbetur, ashtu si e kërkon ligji për BQK-ës – neni 45. Në këtë pyetje Guvernatori përgjigjet “për këtë mos me pyetni mua, por pyetni Bordin se ata e kanë marr këtë vendim”. Pastaj, duke e pas në kujtim këtë përgjigje, nga momenti që jam zgjedhur si anëtar i bordit jam interesuar ta shikojë cila është e vërteta”, ka thënë Nurboja.

Nurboja pranon se kur ka filluar të kërkoj dokumentacionet për zgjedhjen e Havollit si zëvendësguvernator ka ngitur disa biseda jo-formale me Guvernatorin Fehmi Mehmetin, duke i thënë se zgjedhja në dukje është e kontestuar për shkak të afateve që i përcakton ligji për BQK-në.

“Menjëherë, pas kësaj Sokol Havolli e dërgon një mik tonin të përbashkët që të më takoj, i cili kërkon takim me mua dhe normal unë takohem me të duke mos e ditur se për çka do të bisedojmë. Në këtë takim, ky miku jonë e ngrit si çështje, se pse unë po interesona për mandatin e Sokol Havollit, kur ai është zgjedhur në vitin 2018 dhe i ka mbetur mandat 1 vjet e disa muaj. Përgjigja ime ka qenë, se Guvernatori para Komisionit parlamentar ja ka bartur këtë përgjegjësi Bordit, e ku edhe sipas ligjit, procedurën e rekrutimit e bën Guvernatori, ndërsa miratimin vetëm Bordi. Në këtë rast unë mendoj që Bordi i kaluar ka ra në lajthitje, dhe si rezultat një pasojë juridike po vazhdon”, thotë Nurboja në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Ai shton se është duke pritur nga Komisioni parlamentar që të kërkoj një interpretim ligjor të BQK-së për zgjedhjen e Havollit Zëvendës Guvernator i BQK-së.

“Ky miku ynë i përbashkët, e përmend se z. Havolli ka kredi hipotekare dhe nëse i ndërpritet mandati mund të ketë vështirësi në kthimin e borxhit. Ku unë përgjigjem, në rast se Bordi vendos të shfuqizojë vendimin për zgjedhjen tij për të rregulluar një të metë ligjore, atëherë z.Havolli sipas ligjit të BQK-ës i takon një pjesë e pagës për periudhë 1 vjeçare. Asgjë ma shumë nuk ka pasur në këtë bisedë. Megjithëse, unë po pres nga Komisioni parlamentar i cili e ka ngrit çështjen e mandatit të zëvendës guvernatorit, të kërkojnë nga zyra ligjore e parlamentit të bëjë interpretimin e ligjit të BQK-ës, në veçanti nenit 45”, thotë tutje Nurboja.

Zëvendës Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli është përgjigjur në lidhje me letrën e Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, që i ka dërguar një ambasadori të QUINT-it, në të cilën e ka njoftuar se gjendet nën presion politik që të shkarkoj Havollin.

“Është çështje që e kemi diskutuar hapur edhe në BQK, ka dashtë me bo edhe grupe punuese parlamenti, për me ardh në konstatim nëse ligji i BQK-së ka pasur zbatueshmëri, pra parlamenti me mbikëqyr BQK-në dhe nëse ka pas zbatueshmëri të ligjit të sigurimeve. Ne nuk kemi kundërshti për m`u bo mbikëqyrja e zbatimit të ligjit të Bankës Qendrore në asnjë moment, por le ta bëjnë trupat jo-politike, kjo është çka kemi thënë ne vazhdimisht”.

Sipas Havollit, Kushtetuta flet qartë se Banka Qendrore e Kosovës duhet të jetë e pavarur.

“Unë nuk kam problem, ka problem Kushtetuta. Sepse Sokol Havolli nuk mundet me pas problem, as Fehmi Mehmeti mundet mos me pas problem, por shihe çka thotë Kushtetuta. Kushtetua thotë që për Bankën Qendrore duhet me respektu plotësisht pavarësinë e Bankës Qendrore dhe po ashtu të gjitha ligjet që nxirren për BQK-në duhet ‘i përshtaten ligjeve dhe nenit respektiv të Kushtetues, për m`u siguru në zbatimin e kushtetutshmërisë”, shtoi Havolli.

Havolli thotë se detyrën e tij e ushtron në mënyrë të pavarur pa u ndikuar nga politika.

“A je në presion nga politika?”, ishte pyetja që Jeta Xharra i drejtoi Havollit gjatë intervistës e cila u transmetua sonte në #KallxoPernime.

“Ne e kemi parë këtë si çështje relativisht problematike, çështjen që e ka ngritur Komisioni për të themeluar grupe punuese për me pa zbatimin e ligjit të BQK-së, besimi jonë është që kjo do ta cenonte Bankën Qendrore. Ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi dhe jemi ballafaquar përgjatë edhe këtij mandati dhe mandateve të tjera”, u përgjigj Havolli.

“Keni qenë pa bord që një vit, pa mbikëqyrje, nuk keni pas mbikëqyrje”, vazhdoi Xharra.

“Ne ju kemi nënshtru dhjetëra proceseve gjyqësore si rezultat i vendimmarrjes tonë, qoftë në periudhë kur kemi pas bord, qoftë në periudhën kur nuk kemi pas bord, qoftë sot ballafaqohemi me procese gjyqësore që bordi i kaluar ka marrë vendimmarrje dhe BQK çdo proces gjyqësor prej të 1 deri të fundit e fiton”, thotë Havolli.

Në letrën që KALLXO.com ka siguruar përmes burimeve brenda njërës prej ambasadave të shteteve të QUINT-it, Guvernatori Fehmi Mehmeti thotë se nuk ka arsye për ta shkarkuar Havollin.

“Pothuajse në baza ditore unë jam nën presion politik që ta shkarkoj zëvendësguvernatorin z. Sokol Havolli, edhe pse nuk ka arsye objektive për ta bërë një gjë të tillë dhe përkundër sigurisë së garantuar me ligj të mandatit të tij. Përveç performancës së tij të shkëlqyer në BQK, z. Havolli është edhe dëshmitar kyç në procesin e arbitrazhit ndërmjet Kosovës dhe Iute Credit Europe. Si i tillë, sulmi personal ndaj z. Havolli e rrezikon shumë këtë proces arbitrazhi që pritet të përfundojë në shkurt të vitit 2023”, ka shkruar Mehmeti.

Në letrën që KALLXO.com ka siguruar përmes burimeve brenda njërës prej ambasadave të shteteve të QUINT-it, Guvernatori thotë se nuk ka arsye për ta shkarkuar Havollin.

“Pothuajse në baza ditore unë jam nën presion politik që ta shkarkoj zëvendësguvernatorin z. Sokol Havolli, edhe pse nuk ka arsye objektive për ta bërë një gjë të tillë dhe përkundër sigurisë së garantuar me ligj të mandatit të tij. Përveç performancës së tij të shkëlqyer në BQK, z. Havolli është edhe dëshmitar kyç në procesin e arbitrazhit ndërmjet Kosovës dhe Iute Credit Europe. Si i tillë, sulmi personal ndaj z. Havolli e rrezikon shumë këtë proces arbitrazhi që pritet të përfundojë në shkurt të vitit 2023”, ka shkruar Mehmeti.

Edhe për këtë rast Havolli ka një përgjigje për të cilën thotë se njëri nga anëtarët e bordit ka përmend që i njëjti duhet të jap dorëheqje nga pozita në BQK.

“Në fakt kjo ka qenë që nga fillimi i funksionalizimit të bordit. Unë pak u pata befasu që dorën në zemër ti mundesh mos me u pajtu por rregullimet që kanë ndodhur në industrinë financiare në Kosovë kanë qenë të paimagjinueshme për shumë njerëz dhe besimi im ka qenë që çdo institucion do ta vlerësonte punën pozitive. Bordi tashmë është kompletuar dhe një anëtar i bordit, Bashkim Nurboja, dhe kërkesa e tij ka qenë që përmes disa njerëzve me bind Sokolin me dhanë dorëheqje, se duhet me shku”, sqaron Havolli.

“Ta ka kontestu këtë punën e zgjedhjes”, i thotë Xharra, Havollit.

“Unë nuk jam i shqetësuar kontestimin e zgjedhjes. Sot kërkush nuk mundet me të ndal me qu në gjykatë me thanë Sokoli nuk është zgjedh mirë”, thotë Sokoli, deri sa Xharra i thotë se procesi mund të zgjas deri në 10 vjet.

“Jo, unë nuk jam i shqetësuar se e kam të drejtën e ankesës në Gjykatë Supreme dhe kjo është 72 orë e vendos masën e përkohshme”, vazhdon Havolli.

“Kam prit që do të vlerësohen rezultatet e punës sepse e keni pasur një industri që ka qenë në shkelje ligjore dhe në një periudhë më shumë se që e kam prit e kemi mbërri me kthy një industri tejet problematike në përputhje me Ligjin gjë të cilën ashtu më është tregu prej disa miqve të përbashkët që kemi me Bashkimin. Ai e din që është bërë një rezultat i mirë i punës, nuk mund ta them që në mënyrë direkte ka thënë që Sokoli ka kontribu shumë nuk mund ta them këtë, por në mënyrë indirekte e ka pranuar me këta miq të përbashkët. Por i ka lutur që bindeni Sokolin që të jap dorëheqje sepse ashtu duhet, sepse nëse jep ai dorëheqje ne ja japim pagën 70% ashtu siç i takon me ligj e nëse nuk jep dorëheqje Sokoli duhet me gjet diçka dhe me shkarku”, vazhdon të tregoj Havolli.

Havolli shtoi se zgjedhja e tij në pozitën e Zëvendës Guvernatorit është diskutuar shumë.