Anëtari i bordit të AKP-së thotë se kjo agjenci nuk bën shpenzime në luks

Anëtar i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ,Hajzer Salihu, e ka paraqitur sot raportin Agjencisë për vitin 2019 para Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Transfere.

Salihu tha se AKP-ja nuk shpenzon buxhetin në luks pasi, sipas tij, nuk i përdorin mëditjet, udhëtimet zyrtare, etj.

“Është një ndër institucionet e vetme që nuk e harxhon buxhetin në luks. Sepse mëditjet, udhëtimet zyrtare e shumë kategori të tjera nuk i konsumojmë, është ndër institucionet e vetme që nuk i harxhon parat publike me luks të saj”, tha ai.

Sipas Salihut, deri në fund të vitit 2019, kanë qenë të punësuar 247 zyrtarë në këtë agjenci.

Ai tha se te kategoria mallra dhe shërbime buxheti fillestar i aprovuar ka qenë 2 milionë e 714 mijë euro ndërsa shpenzimi deri në fund të vitit 2019 ka qenë 1 milion e 911 mijë euro.

“ATK ka arritë të kursejë rreth 803 mijë euro nga shpenzimi në këtë kategori”, tha ai.

Te shpenzimet komunale, sipas Salihut, buxheti i aprovuar ka qenë 98 mijë euro dhe AKP këtë buxhet e ka shpenzuar 65 për qind.

“Në shpenzimet kapitale agjencia në vitin 2019 ka parapa shpenzim prej 30 mijë euro dhe nga projekti i realizuar janë kursyer në këtë kategori 7 mijë e 370 euro”, shtoi ai.

Salihu tha se te subvencionet e transferet i kanë pasur 40 mijë euro të planifikuara dhe këto janë shpenzuar në masën më të madhe.

“Realizimi përfundimtar ka qenë 93 për qind”, shtoi ai.

Salihu ka treguar se auditori ka dhënë një opinion të pamodifikuar i cili, sipas tij, është një ndër opinionet më të mira.

“Agjencia ka pas në 2019, 4 rekomandime nga të cilat që të gjitha janë adresuar nga AKP”, shtoi ai,