Anëtarëve të bordit u ndalohet të marrin pagesa shtesë

Katër anëtarë të bordit të përkohshëm të ndërmarrjes publike Posta e Kosovës janë emëruar edhe në disa komitete të brendshme në këtë ndërmarrje.

Por, emërimi i tyre në këto komitete që menaxhojnë Postën si institucion financiar jobankar (IFJB), po del të jetë i kundërligjshëm.

Sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, nenit 20 pika 6, anëtarët e bordit nuk mund të marrin paga shtesë përveç asaj bazë të përcaktuar.

Por, në Postën e Kosovës anëtarët do t’i marrin nga 200 euro për vite. Kështu të paktën sipas disa vendimeve që ka marrë bordi dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Xhevdet Smakiqi, gjatë muajit shkurt të këtij viti.

 

Në Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike kanë thënë se këto shtesa për anëtarët e bordit duhet të ndërpriten.

Madje, ata në një përgjigje me shkrim kanë thënë se kanë marrë zotimin e bordit që do të ndalen këto pagesa.

“NJPMNP ka reaguar ndaj bordit dhe ka kërkuar rishikimin e vendimit (vendimin nr.0921 të datës 05/03/2021) si dhe shfuqizimin e vendimit nr.46/20 i datës 28.09.2020 i cili ka të bëjë me kompensimin e komiteteve te IFJB.Ndaj kësaj shkrese kanë reaguar bordi me anë të një shkrese ku zotohen të përmbushin kërkesat e aksionarit (rishiqimin e mandatit të KE si dhe anulimin e kompensimeve të komiteteve)”, thuhet në përgjigjen e NJPMNP-së.