Anëtarët e opozitës në KQZ pretendojnë se MPJD ka ndërhyrë në listat e vendvotimeve në diasporë

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është larguar nga rendi i ditës pika për shqyrtimin dhe miratimin e listës së qendrave të votimit jashtë Kosovës, me arsyetimin se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka vonuar listat, duke i dërguar dy minuta para se të fillonte mbledhja, për çka pati edhe dyshime për ndërhyrje në to.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, pas diskutimeve të anëtarëve të komisionit në lidhje me pakënaqësitë për vendvotimet në diasporë në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 9 shkurt 2025, tha se gjatë ditës do të tentojnë të gjejmë gjuhë të përbashkët me ta.

Anëtarët e opozitës të cilët janë anëtarë në këtë institucion pretenduan se MPJD ka ndërhyrë në listat e vendovotimeve duke vendosur numër të madh të votuesve për një vendvotim, i kanë dërguar vonë dhe janë sjellur në mënyrë të papërgjegjshme në këtë aspekt.

Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës në KQZ, tha se dërgimi i listës pak minuta para se të fillojë mbledhja është sjellje e papërgjegjshme, duke shtuar se është ndërhyrë nha ministria në këto lista në të cilat kanë punuar se bashku me dy zyrtarë të kësaj ministrie, e më pas janë dërguar për miratim në MPJD.

Elshani tha se dokumenti që kanë pranuar nga MPJD nuk reflekton atë rregullore zgjedhore të KQZ-së dhe as nuk është në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Nuk është mirë që në këto rrethana që po hyjmë në proces zgjedhor, ta shndërrojmë KQZ-në në një fushëbetejë politike për të ndërhyrë diçka politikisht”- tha Elshani, duke shtuar se lista e qendrave të votimeve në përfaqësi diplomatike vendoset nga KQZ-ja.

Ndërkaq, Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së nga LDK, tha se janë në një situatë që nuk mund të vendosin.

“Sa e pashë atë shkresë ato shifra janë qesharake. Ose nuk janë njohës ose ata po dojnë me ba politikë, me na e sfidu KQZ-në. Ato shifra që kanë ardhë në atë listë nuk kanë të bëjnë fare me një realitet me të cilin mund të votohet në një përfaqësi 10 mijë vet, në katin e shtatë, ku nuk mund të votojnë as 700 vetë”- tha ai.

Ndërsa, Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga PDK, tha se në këtë kohë do duhej t’i kishin vendvotimet e gatshme për t’i mundësuar diasporës që nga nesër të regjistrohen për mënyrën se si duan të votojnë.

“Nuk është dashtë me pritë momentin e fundit që MPJD të mos jet e gatshme që të bëjë përcaktimin e vendvotimeve në konsullata dhe ambasada”- tha Gashi.

Gashi tha se është shqetësuese që para pak çastesh ka ardhur një dokument për të cilën MPJD, sipas tij, bënë ndërhyrje flagrante në institucionin e pavarur.

“Nuk e kanë të drejtën asbolute që ata të përcaktojnë se sa votues të jenë në një vendvotim, as të drejtën që me na tregu nëse mundemi me hap im qendra alternative. Prandaj është ndërhyrje e drejtpërdrejtë”- tha ai.

Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se MPJD nuk janë në dijeni se sa njerëz mund të votojnë brenda një hapësire.

“Na e kemi përcaktu diku rreth 750 votues një një votues, por ata nuk i kanë llogaritë këto. Ata thojnë 10 mijë në një vendvotim, por nuk munden. Ata janë vonu dhe kjo është papërgjegjësi, por nuk e pranoj se e kanë bërë që t’ia mohojnë votimin qytetarëve”- tha ai.

Kurteshi mohoi se Ministria e Jashtme ka ndërhyrë në këtë proces.

“Duhet me ia sqaru Ministrisë së Jashtme do afate. Nuk mujmë me fillu regjistrimin . Nuk munden as një mijë me qenë. Me vetë qysh i shtinë 10 mijë vetë në një konsullatë as ata vetë nuk dinë me shpjegu”- tha ai.

Lista preliminare e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmban: 2,047,148 votues, apo 161,700 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e lokale 2021, të mbajtura me datë 17 tetor 2021.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt 2025 është 209,878, u njoftua në mbledhje.