Anëtarët e KQZ-së pretendojnë për ndikim në procesin e votimit në diasporë, Kurteshi i quan tendecioze 

Anëtarë të KQZ-së në mbledhjen e mbajtur të premten, më 10.01.2025, ngritën pretendime për ndikim në procesin e votimit në diasporë. 

Ishte anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, i cili ngriti shqetësime për procesin e votimit në diapsorë, duke thënë se ka tendecë për t’u pamundësuar apo manipuluar në disa raste ky lloj votimi. 

Duke lëshuar një video-incizim përpara anëtarëve të KQZ-së, Gashi pretendoi se në rrjete sociale, ata që janë regjstruar për të votuar, po marrin ndihmë se si të votojnë dhe se po bëhet thirrje për ata që janë regjistruar për të votuar, të votojnë me postë. 

Sipas Gashit, votimi me postë duhet të bëhet vetëm individualisht. 

“Kam pranu video nga qytetarë që i ftojnë votuesit për t’u regjistruar përmes postës, gjoja për t’iu ndihmuar. Këto janë thirrje, përpjekje për kontaminim të procesit. Votimi përmes postës duhet të jetë individual, nëse ka dikush nevojë për informacione duhet të drejtohet në KQZ.” – ka thënë Gashi.

Ai deklaroi se Prokuroria duhet të merret me këto çështje dhe se secili qytetar që bën një gjë të tillë, të ballafaqohet me Prokurorinë Speciale dhe Ligjet e Kosovës. 

Këto pretendime të Gashit të PDK-së i kundërshtoi anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi. 

Ai mohoi se video të tilla janë shqetësuese, duke thënë se Gashi ka tendencë të shpërndajë dyshime te njerëzit. 

“Hiç nuk është shqetësim. Gjithkush e ka obligim gjithkujt me i ndihmu, deri në momentin që nuk shkruan votë me dorën e tij në votën e huaj. Secili prej nesh e ka për detyrë me i ndihmu çdokujt, deri në momentin që ai e mbush fletëvotimin vetë me dorën e tij. Kolegu don me shpërnda një skepticizëm, një dyshim te njerëzit që kurrkush-kurrkujt të mos i ndihmojë.” – tha Kurteshi. 

Anëtari i PDK-së, Ilir Gashi gjatë mbledhjes kundërshtoi edhe ndërhyrjet e mundshme në votime dhe mbledhjen e Certifikatave personale të votuesve për t’u dërguar në Postë.  

“Nuk lejohet ndërhyrja në votues, nuk lejohet mbledhja e Certifikatave personale të votuesve. As grumbullimi i tyre në një vend të caktuar, e pastaj dikush me i mbeldh e me i dërgu në Postë”.

Ashpër i është kundërpërgjigjur Kurteshi i VV-së, i cili i quajti shpifje pretendimet e Gashit, duke thënë se këto diskutime po i bën ngase në Zgjedhjet paraprake, pjesa më e madhe e votave nga diaspora kanë qenë për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Po shpif. Nuk ka kërku kurrkush me i mbledhë Certifikatat. Pse po e përmend këtë? Kjo është dhimtë e 2021-shit, në 2021 78% të votave nga mërgata kanë qenë për Lëvizjen Vetëvendosje, prandaj. Prespektiva po shihet këtu. Le të delë Prokuroria, cilindo element që e gjen për vepër penale, ajo duhet me reagu.” – tha Kurteshi. 

Tutje, anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti gjatë fjalës së tij në mbledhje është shprehur se KQZ ka kryer punë të shkëlqyeshme për njoftimin e diasporës se si duhet të votohet. 

“Ky insitucion e ka kry punën në mënyrë të shkëlqyeshme. Pjesët tjera po, shihet ashiqare, asistim në grup është. Konsideroj që nuk është në rregull. Nëse është nevoja KQZ me pas ende sqarime, por me u bo tubime me u votu, kredibilitet nuk ka.” – ka thënë Hamiti.   

Procesi i votimit jashtë vendit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës. Numri i qytetarëve, sipas të dhënave të KQZ-së, të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

Prej shumës totale, 84 mijë e 525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës. Të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vënë në pah se në diasporë jetojnë rreth 550 mijë kosovarë.Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote këto Zgjedhje – sipas të dhënave të KQZ-së. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime vetëm në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

Në Zgjedhjet parlamentare do të garojnë 27 subjekte politike. Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.